Bota Izrael-Palestinë, çfarë duhet të dini për historinë e një konflikti 70-vjeçar

Izrael-Palestinë, çfarë duhet të dini për historinë e një konflikti 70-vjeçar

Marrëdhëniet izraelito-palestineze janë një histori lufte të vazhdueshme që e ka origjinën në mesin e shekullit XX. Përpjekje të shumta janë bërë për ta zgjidhur konfliktin, si pjesë e procesit të paqes izraelito-palestineze, por ato ose kanë dështuar, ose kanë pasur sukses të pjesshëm si ai në fund të vitit 2019.

Emri Palestinë është përdorur deri në vitin 1948 për rajonin gjeografik midis Detit Mesdhe dhe lumit Jordan. Në historinë e saj, perandoritë asiriane, babilonase, romake, bizantine dhe osmane kanë kontrolluar Palestinën kohë pas kohe.

Pas Luftës së Parë Botërore, Palestina u administrua nga Mbretëria e Bashkuar nën një mandat të marrë në vitin 1922 nga Lidhja e Kombeve. Historia moderne e Palestinës fillon me përfundimin e mandatit britanik, ndarjen e Palestinës dhe krijimin e Izraelit, dhe konfliktin që pasoi mes Izraelit dhe Palestinës.

Ndarja e Palestinës

Më 1947, Kombet e Bashkuara (OKB) propozuan një Plan Ndarjeje për Palestinën, që u emërtua “Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara 181 (II) Qeveria e Ardhshme e Palestinës.” Rezoluta njihte përfundimin e mandatit britanik dhe rekomandonte ndarjen e Palestinës në dy shtete: një hebre dhe një arab, ndërsa zona Jeruzalem-Betlehem do të mbrohej dhe administrohej nga Kombet e Bashkuara.

Rezoluta përcaktonte qartë dhe në mënyrë shumë të detajuar ndarjen e kufijve për secilin shtet të propozuar. Pjesë e saj ishin gjithashtu planet për një bashkim ekonomik midis këtyre dy shteteve dhe për mbrojtjen e të drejtave fetare dhe të pakicave. Rezoluta kërkonte tërheqjen e forcave britanike dhe caktonte si afat për përfundimin e mandatit britanik gushtin e vitit 1948 dhe për krijimin e shteteve të reja të pavarura tetorin e vitit 1948.

Lufta e parë arabo-izraelite (1948)

Lidershipi hebre e pranoi Planin e Ndarjes, por udhëheqësit arabë e kundërshtuan. Liga Arabe kërcënoi se do të marrë masa ushtarake për të parandaluar ndarjen e Palestinës dhe për të siguruar të drejtat kombëtare të popullatës palestineze arabe. Një ditë para skadimit të mandatit britanik, Izraeli shpalli pavarësinë e tij brenda kufijve të shtetit hebre, të përcaktuar në Planin e Ndarjes. Vendet arabe i shpallën luftë Shtetit të sapoformuar të Izraelit duke filluar Luftën Arabo-Izraelite të vitit 1948.

Pas luftës, të cilën palestinezët e quajnë katastrofë, Marrëveshjet e Armëpushimit të vitit 1949 vendosën kufijtë ndarës mes atyre që luftuan: Izraeli kontrollonte disa zona të përcaktuara për shtetin arab sipas Planit të Ndarjes, Transjordania do të kontrollonte Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, dhe Egjipti do të kontrollonte Rripin e Gazës.

Lufta Gjashtë Ditore

Lufta Gjashtë Ditore u zhvillua midis 5-10 qershorit 1967. Izraeli fitoi dhe i mori Egjiptit kontrollin e Rripit të Gazës dhe gadishullit Sinai, Jordanisë i mori Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor dhe Sirisë Lartësitë Golan. Këshilli i Sigurimit i OKB miratoi Rezolutën 242, formulën “tokë për paqe”, e cila kërkonte tërheqjen e Izraelit “nga territoret e pushtuara” në vitin 1967 dhe “dhënien fund të pretendimeve ose shteteve të luftës.” Rezoluta 242 njohu të drejtën e “çdo shteti në zonë për të jetuar në paqe brenda kufijve të sigurt dhe të njohur pa kërcënime ose akte force”.

Lufta e vitit 1973

Në tetor 1973, filloi sërish lufta midis Izraelit dhe Egjiptit në Sinai dhe Sirisë në Lartësitë Golan. U arrit armëpushimi (rezoluta 339 e OKB) dhe paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara u vendosën në të dy frontet. Ato u tërhoqën nga fronti egjiptian, pasi Izraeli dhe Egjipti arritën një traktat paqeje në 1979. Paqeruajtësit e OKB-së mbeten të vendosur në Lartësitë Golan.

Ngritja e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO)

Në 1974, Liga Arabe njohu Organizatën e Çlirimit të Palestinës (OÇP) si përfaqësuesin e vetëm legjitim të popullit palestinez dhe nuk pranoi rolin e saj si përfaqësues i Bregut Perëndimor. OÇP fitoi statusin e vëzhguesit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në të njëjtin vit.

Në vitin 1988, Këshilli Kombëtar Palestinez i OÇP-së miratoi Deklaratën Palestineze të Pavarësisë në Algiers, Tunizi. Deklarata shpallte një “Shtet të Palestinës në territorin tonë palestinez me kryeqytet Jeruzalemin”, megjithëse nuk specifikoi kufijtë e saktë, dhe pohoi se Rezoluta 181 e OKB-së mbështet të drejtat e palestinezëve dhe Palestinës. Deklarata u shoqërua me një thirrje të Organizatës për Çlirimin e Palestinës për negociata shumëpalëshe mbi bazën e Rezolutës 242 të OKB-së.

Intifada (1987 deri 1993)

Kushtet në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, përfshirë Jeruzalemin, pas më shumë se 20 vjet okupimi ushtarak, shtypjeje dhe konfiskimi të tokës, nxitën një kryengritje palestineze të quajtur Intifada në dhjetor 1987. Midis viteve 1987 dhe 1993, mbi 1 000 palestinezë u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën, u arrestuan, u burgosën në Izrael ose u dëbuan nga territoret palestineze.

Procesi i paqes

Në vitin 1993 u nënshkrua Marrëveshja e Oslos, marrëveshja e parë e drejtpërdrejtë, ballë për ballë midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës. Marrëveshja synonte krijimin e një kornize për marrëdhëniet e ardhshme midis dy palëve. Në kudër të saj u krijua Autoriteti Kombëtar Palestinez (PNA) me përgjegjësi për administrimin e territorit nën kontrollin e tij. Marrëveshja gjithashtu parashikonte tërheqjen e forcave izraelite nga pjesë të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor.

Zbatimi i Marrëveshjes së Oslos hasi një pengesë serioze me vrasjen e Yitzhak Rabin, kryeministrit izraelit, njëkohësisht firmëtar i saj në nëntor 1995. Që nga viti 1995, disa samite dhe propozime të paqes, përfshirë Samitin e Camp David (2000), Samitin Taba (2001), Hartën Rrugore për Paqe (2002), dhe Iniciativën Arabe të Paqes (2002 dhe 2007), janë përpjekur të ndërmjetësojnë një zgjidhje, por pa sukses.

Nxitjet për njohjen e shtetësisë palestineze

Në një fjalim më 16 shtator 2011, Mahmoud Abbas, Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, deklaroi qëllimin e tij për të vazhduar me kërkesën për njohjen e shtetësisë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit. Më 23 shtator 2011, Presidenti Abbas dorëzoi kërkesën zyrtare për njohjen e një Shteti Palestinez pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Sidoqoftë, një sërë çështjesh mbeten për t’u zgjidhur nga izraelitët dhe palestinezët, përpara se të lindë shteti i pavarur i Palestinës.