Sport Brazilianët e Interit, sa shumë kampionë, pengje dhe zhgënjime

Brazilianët e Interit, sa shumë kampionë, pengje dhe zhgënjime

Janë plot 37 brazilianë që kanë luajtur te skuadra e Interit që nga data e krijimit deri sot.

Mes lojtarëve që kanë shkëlqyer, që kanë bërë histori, ka edhe nga ata që kanë zhgënjyer dhe nuk kanë lënë shenjë. Por ka edhe nga ata si Kutinjo që nuk patën kohën e duhur dhe të mjaftueshme për të treguar vlerat.

Ai u shit për të respektuar rregullat e “Fair Play Financiar”. Peng i madh është edhe Roberto Karlos, i cili qëndroi shumë pak me fanellën zikaltër të veshur dhe ishte i detyruar të largohej duke lënë një shije të hidhur te tifozët e Interit.

Por, skuadra zikaltër mund të krenohet me faktin që transferoi në Itali një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, si Fenomeni Ronaldo.

“Gazzetta dello Sport” ka zgjedhur formacionin e lojtarëve më të mirë brazilianë që kanë luajtur tek Interi.

Në portë është Zhulio Sezar, ndërsa në mbrojtje 2 kampionë të tjerë të “Tripletës”, Maikon dhe Lusio. Pjesa tjetër përbëhet nga Miranda dhe Roberto Karlos. Mesfusha ka shumë talent dhe fantazi me Kutinjon, Tiago Motën (italo-brazilian) dhe Rafinjën. Sulmi përbëhet nga Zhair-Ronaldo-Adriano.

Stoli i rezervave është i mbushur dhe të ofron zgjedhje: Gama, Sezar, Felipe, Gilberto, Hernanes, Ze Elias, Kerlon, Felipe Melo, Maksuell, Ze Maria, Xhonathan, Zhuan Zhezus, Kaio, Luciano, Mansini, Dodo, Dalbert, Teles, Zhuari, Eder, Dal Bello, Vampeta, Uollas, Uellington, Vinicio, Gabigol.