Policia e Shtetit ka publikuar foton e personit të gjashtë në listën prej 50 personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare që do të bëhen objekt i punës së Njësisë Speciale të Kërkimit.
Policia thotë se bëhet fjalë për Engjëll Brahimin, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një efektivi policie dhe djalit të tij 8 vjeç në vitin 2000. Po ashtu, gjatë sulmit me armë, ai plagosi dhe nipin e mitur të policit.
“Në datën 10 gusht 2000, në vendin e quajtur ‘Pishporo’, në Fier, shtetasi Engjëll Brahimi, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasin A. B., punonjës policie, të birin e tij 8-vjeçar, si edhe i ka plagosur nipin 10 vjeç”, sqaron më tej policia.
Engjëll Brahimi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vrasje me paramendim, për hakmarrje”.