Fjala seancë vjen nga frëngjishtja séance, që do të thotë të ulesh. Pra nëse po mban në seancë dhe jo të gjithë pjesëmarrësit janë të ulur, atëherë kjo nuk mund të quhet seancë.
Seancat kanë qenë dhe vijojnë të përdoren si një metodë për të kontaktuar me botën e shpirtrave dhe për të folur me ata që nuk janë më me ne në këtë botë. Seancat e para të mirëfillta nisën të mbaheshin në shekullin III dhe që atëherë ishin ngushtësisht të lidhura me praktikat okulte dhe ngjallnin frikë te ata që besonin në të tilla praktika.
Megjithatë, popullariteti i seancave të tilla nuk u rrit dhe aq deri në shekullin e XIX. Ky popullaritet erdhi me krijimin e besimit të quajtur spiritualizëm, i themeluar nga dy motrat Kate dhe Margaret Fox, të cilat u bënë menjëherë të famshme për mbajtjen në Nju-Jork të seancave me të cilat synonin të kontaktonin të vdekurit.
Përgjatë viteve që pasuan, pesë lloje të ndryshme seancash janë zhvilluar: seanca religjioze, të cilat bëhen gjatë shërbesave si një mënyrë për të komunikuar me personalitete që jetojnë në botën e shpirtrave (spiritualistët u referohen si “marrje e mesazheve”, seanca të mediumeve në skenë, të cilat mbahen në skena para audiencave që kanë paguar; seanca të asistuara nga liderët, kur një grup i vogël njerëzish mblidhet rreth një tryeze dhe seanca ka një drejtues; seancat sociale informale, të cilat nuk përfshijnë as lider dhe as ndonjë kontekst religjioz; dhe seancat spirituale, gjatë të cilave një medium lidhet me botën e shpirtrave dhe të gjithë të pranishmit ndërveprojnë dhe flasin me personalitetet që besojnë se kanë thirrur.
Disa nga seancat më të famshme të asaj epoke të veçantë përfshijnë ato të Zonjës së Parë, Mary Todd Lincoln, e cila organizoi disa të tilla në Shtëpinë e Bardhë ndërsa mbante zi për humbjen e të birit. Ato ishin seanca të një profili shumë të lartë dhe ndiqeshin nga i shoqi, Abraham Lincoln, si edhe nga pjesëtarë të mirënjohur të shoqërisë amerikane.
Shkencëtarët, skeptikët dhe ateistët kanë pasur gjithmonë më shumë sesa thjesht dyshime. Arti i seancave mori përmasa masive në vitin 1887 me Komisionin Seybert dhe hetimin mbi disa prej mediumeve më të respektuar spiritualistë. Raporti i komisionit i përshkruante ata si mashtrues dhe njerëz që donin të bënin show. Megjithatë, seanca të tilla ende mbahen si pjesë e praktikave të spiritualistëve, të spiritistëve dhe kishës së espiritizmit edhe sot, por e vënë më shumë theksin te aspekti spiritual sesa të bërit show. / Historia e okultit / Përgatiti: Gazmira Sokoli /