Kryesore Artan Hoxha: Gramoz Rexhepi më telefonoi nga burgu ekuadorian, është trafikant i...

Artan Hoxha: Gramoz Rexhepi më telefonoi nga burgu ekuadorian, është trafikant i një kalibri tjetër

Mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan, gazetari Artan Hoxha ka treguar se tre vite më parë ka marrë një telefonatë nga Gramoz Rexhepi, që përflitet si personi që ka urdhëruar pengmarrjen e Jan Prengës disa ditë më parë në Kamëz.

Hoxha e ka cilësuar ata si një person të rrezikshëm, me një kalibër krejt tjetër nga trafikantët “që jemi mësuar të flasim”.

Gazetari ka treguar se në vitin 2017 ka marrë një telefonatë prej tij, ndërsa ky i fundit ndodhej në burg.

Hoxha i kishte përmendur emrin një natë më parë në një emisionin, dhe ditën tjetër, nga burgu, ai e kishte marrë në telefon, por komunikimi nuk kishte zgjatur pasi gazetari kishte fikur telefonin.

“Para 3 vitesh në 2017, kemi qenë në një emision për kanabis, dhe kam thënë është gjë e vogël kanabisi para trafikut të kokainës dhe grupet tona janë aq përpara sot, sa kur ta marrim vesh ne se çfarë po ndodh, do fillojmë të mbledhim kufoma. E kam thënë 15 Shtator 2017, kam qenë në një emision, ishte ditë e premte, ishte ora 10, me idenë nuk po ndiqet ky emision.

Të nesërmen në 11 paradite kam qenë në Vlorë, dhe më bie telefoni nga një numër që nuk e njihja, unë nuk i hap numrat që nuk i njoh. Por ishte prefiks i panjohur, s’e kisha parë ndonjëherë, kur i bie herën e dytë, hap telefonin.

Më thotë jam Gramoz Rexhepi, marr nga filan burg në Kuito (Ekuador), dhe u habita, se në 10 të darkës i kisha përmendur emrin. Më tha ke bërë një shkrim në gazetë, i thash që nuk shkruaj më në gazetë. Nga burgu në Kuito gjeti numrin e telefonit dhe më gjeti ku isha. Në atë moment kam fik telefonin. Nuk është thjeshtë si trafikantët e kokainës që jemi mësuar ne. E ka nis si vrasës me pagesë… Ndërkohë ka vrarë dy policë në Krujë, pa iu dridhur dora fare, është një kalibër krejt tjetër nga ai që jemi mësuar të flasim”.

Kush është Dritan (Gramoz) Rexhepi, trafikanti me tre identitete  

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar sot në emisionin Opinion detaje nga e shkuara e personit i cili dyshohet se ka urdhëruar pengmarrjen e Jan Prengës në Kamëz.

Dritan Rexhepi është një nga personat e shumëkërkuar edhe nga Interpoli, i cili dyshohet se është përgjegjës për transportin e sasisë së kokainës për të cilën ka lindur konflikti mes vëllait të Jan Prengës dhe grupeve kriminale.

Dritan Rexhepi rezulton se ka edhe dy identitete të tjera, Gramoz Rexhepi dhe Lulzim Murataj. Ai është duke vuajtur dënimin me burg në Ekuador që prej vitit 2014 pasi është kapur me një sasi prej 240 kg kokainë.

“Dritan Rexhepi, personi i arrestuar në Ekuador është arrestuar në 2014 për 240 kg kokainë, bashkë me babain. Ai ka tre identitete, Gramoz Rexhepi, Dritan Rexhepi dhe Lulzim Murataj.

Ai është skeduar për herë të parë për vrasjen e dy policëve në 1999 në Fushë-Krujë. Në 2005-2006 është arrestuar në hotel Tirana. Është shoqëruar në ambientet e paraburgimit në Durrës. Policia teksa po bënte transferimin e zyrave për të bërë përgjimin ambiental është hutuar dhe Rexhepi u ka shpëtuar oficerëve të policisë”.

Lala shtoi se Rexhepi kërkohej nga 4 shtete të ndryshme. Ajo më tej tregoi se si u lidh ai me vëllain e 49-vjeçarit që mbeti viktimë.

“Është arratisur nga burgu i Italisë dhe Belgjikës. Dritan Rexhepi me grupin e vet siguronte sasi kokaine. Dyshohet se është Dritan Doçi një nga porositësit e kokainës. 3 grupe kriminale kishin bërë kërkesë për transportimin e sasisë së kokainës në Britani. Një nga krerët e grupeve kriminale ka kontaktuar vëllain e Jan Prengës për të bërë transportin e drogës me kamion. Këta kur kanë shkuar atje kanë ndarë sasinë e kokainës siç kanë dashur vet dhe nuk e kanë dorëzuar”.