Koronavirusi ka alarmuar të gjithë planetin dhe efektet e këtij virusi janë ndjerë edhe në botën e sportit.
Nisja e kampionatit kinez të futbollit është shtyrë, kampionati botëror i skive është anuluar, çmimet e mëdha në Formula 1 dhe Formula E janë në rrezik, ndërsa skuadra e futbollit të Wuhan, qytetit ku shpërtheu virusi nuk po gjen kundërshtarë për të zhvilluar ndeshje miqësore.
Futbollistët e Wuhan Zall po stërviten në Malaga të Spanjës, ndërsa ishte parashikuar të zhvillonin një ndeshje miqësore me skuadrën ruse të Krasnodar, por ajo është anuluar.
“Lojtarët e mi nuk janë bartës të virusit, por futbollistë”, ka thënë trajneri i skuadrës kineze, spanjolli José Gonzalez, i cili theksoi se skuadra është larguar nga Wuhani që prej 3 janarit. “Periudha e inkubacionit ka kaluar, por ne kemi edhe një mjek në kontakt me autoritetet spanjolle të shëndetësisë për gjendjen e lojtarëve”, u shpreh trajneri.