Kryesore Yuri Kim sheh nga afër pasojat e tërmetit në Durrës: Do të...

Yuri Kim sheh nga afër pasojat e tërmetit në Durrës: Do të ndihmojmë miqtë tanë

Ambasadorja amerikane Yuri Kim tha se kishte zgjedhur që vizitën e parë jashtë Tirane ta bënte në Durrës, për të shprehur solidaritetin ndaj popullit të qytetit bregdetar pas tmerrit të tërmetit të 26 nëntorit.

“Është e rëndësishme që miqtë të festojnë së bashku, por më e rëndësishme që ta ndihmojnë njëri-tjetrin kur janë në nevojë. Doja të shihja personalisht jo vetëm dëmet por edhe përpjekjet që po bëhen për t’u rimëkëmbur nga dëmet. Dua që shqiptarët ta dinë se miqtë amerikanë janë në dijeni për atë që ka ndodhur dhe janë të interesuar për ju”, tha Kim.

Ajo shtoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të kontribuojnë për lehtësimin e gjendjes pas tragjedisë.

“Ndihma jonë financiare, teknike dhe njerëzit tanë mbërritën menjëherë pas fatkeqësisë. Shpresojmë shumë që kontributi ynë të ndihmojë. Përveç personave që erdhën për të shpëtuar njerëzit e mbetur nën rrënoja, patëm gjithashtu inxhinierë që erdhën për t’u siguruar që banesat janë të sigurta. Do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me qeverinë shqiptare për të bërë çfarë të mundemi për të siguruar mbështetjen që miqtë tanë kanë nevojë”.