Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar kërkesë me shkrim tre personave të tjerë, për të cilët kërkon që të justifikojnë pasurinë e tyre.
Bëhet fjalë për Dashamir Gjoka, me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”; Emiljano Hajri, me banim në Durrës, pasi rezulton i dënuar në Gjermani për trafikim narkotikësh dhe pastrim parash; Edlir Hajri, banues në Durrës, me lidhje familjare me Emiljano Hajrin, pasi dyshohet se gëzon pasuri të prejardhura nga krimi.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili do të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.