Një dëbim naiv, i shmangshëm, një “balotellata” në të gjitha aspektet. Kartoni i kuq, i marrë gjatë Brescia-Cagliari, i kushtoi Mario Balotellit dy ndeshje skualifikim. Tani është gati të rikthehet në fushën e “Rigamonti”. Sulmuesi 29-vjeçar iu kthye atij episodi gjatë intervistës për “Corriere dello Sport”: “Një e kuqe e ndyrë, gjyqtari më nxori jashtë. Por, nëse të gjitha veprimet e tilla në fushë do të ndëshkoheshin, skuadrat do ta mbyllnin me nga dy lojtarë. Që kur u ktheva në Itali jam munduar të jem korrekt në çdo gjë; stërvitem seriozisht, nuk i lë asgjë rastësisë, përshtatem me nevojat e trajnerit dhe shokëve të mi, edhe nëse ndonjëherë në lojë më duket se jam mesfushor”.
Ka disa lojtarë, që kanë lënë përshtypje pozitive te Balotelli. Preferenca kryesore, sidoqoftë, shkon te Paulo Dybala: “Futbolli është jeta ime. Të tjerëve nuk iu duket kjo? Unë kurrë nuk jam përpjekur të bindë askënd. Më pëlqen Lukaku, por është Lautaro që më bëri shumë përshtypje. Një tjetër lojtar shumë i fortë është Higuain, por nëse duhet të zgjedh një emër; unë them Dybala. Jam tifoz i Dybala, ai është një lojtar i çmendur”.