Zgjedhjet e parakohshme janë një kusht i panegociueshëm për opozitën. Në një komunikim me ndjekësit e tij në Facebook nën moton “Po dëgjoj”, Lulzim Basha tha se garanci për rregulla të barabarta loje është qeveria tranzitore. Votimin dhe numërimin elektronik, Basha thotë se Partia Demokratike e ka prioritet në këto zgjedhje, pasi përdorimin e teknologjisë e sheh si mekanizmi që vështirëson fenomenin e shitblerjes së votës.
“Tre janë dhe kërkesat kryesore që kemi. Së pari, vendit t’i jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve. Të jenë qytetarët ata që do të vendosin për cilën parti, për cilin program, për cilët deputetë do të votojnë.
Së dyti, që ky proces të garantohet, rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë.
Së treti, që këto rregulla loje të zbatohen, të kemi një arbitër të paanshëm dhe jo një qeveri, e cila, për hir të pushtetit apo aferave, në të cilat është zhytur, është gati të shkatërrojë procesin zgjedhor, vetëm e vetëm të mbajë pushtetin. Për këtë arsye, ne i qëndrojmë pikë për pikë kërkesave që kemi parashtruar prej datës 16 shkurt të vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore pa këtë kryeministër, sepse, në fund të fundit, është ky kryeministër dhe kjo qeveri që kanë vjedhur zgjedhjet”, tha Basha.
Më tej, kreu demokrat shtoi: “Kërkesat tona janë fare të thjeshta. Kërkesa jonë kryesore është: mos vidh! Po dëgjoni shpesh që njerëzit më problematikë, që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet, duke blerë vota me krimin e organizuar, na japin leksione mençurie çfarë do të bëjmë me zgjedhjet. Çfarë do të bëjmë me zgjedhjet? Mos vidh! Ju jeni hajdutët e zgjedhjeve, mos i vidhni zgjedhjet! Nuk është çështje dëshire për t’i besuar dikujt që ka vjedhur jo një, jo dy, por tre palë zgjedhje, edhe një palë zgjedhje pa kundërshtarë, siç ishte 30 qershori. Prandaj, qeveria tranzitore është një garanci. Siç funksionon në Maqedoni, le të funksionojë edhe në Shqipëri”.
Por kryedemokrati nuk mjaftohet vetëm me bërjen e Reformës Zgjedhore, në tryezën e së cilës opozita është ulur që prej 14 Janarit. Pas Elektorales rendit si prioritet edhe Reformën Administrative.
Kryeministrin Rama e cilësoi të dështuar dhe shqiptarët i ftoi ta ndëshkojnë në zgjedhje me votë. Kreu i opozitës paralajmëroi anulim të gjitha koncesioneve korruptive në shëndetësi, ndërsa tha se Partia Demokratike ka një program për shëndetësinë, që parashikon rritje të pagave për mjekët e infermierët.