Kryesore Rama, vizitë në Moskë në 26 shkurt: Kërkohet takim me Putin

Rama, vizitë në Moskë në 26 shkurt: Kërkohet takim me Putin

Në kuadër të kryesimit të OSBE, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë në Rusi

Kreu i qeverisë do të vizitojë Moskën në 26 shkurt.

Deri tani është konfirmuar takimi me ministrin e Jashtëm, Sergey Lavrov. Mësohet se pala shqiptare ka kërkuar që Rama të ketë takim edhe me Vladimir Putin.

I fundit kryeministër shqiptar që ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Moskë duke u takuar me kryeministrin e kohës Çernomerdin, është Aleksandër Meksi gati një çerek shekulli më parë.

Marrëdhëniet e ftohta

Kjo vizitë e kryeministrit Edi Rama në Kremlin, zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet Shqipëri Rusi janë në kuotat minimale.

Në mars të vitit 2018 Shqipëria iu bashkua vendeve europiane duke dëbuar dy diplomatë rus nga Tirana një veprim i koordinuar edhe me NATO-n.

Ata ishin Vladislav Filipov, atashe ushtarak, si dhe Alexey Nikolaevich Balashov, sekretar i parë i Ambasadës, të dyshuar se nën petkun e diplomatit zhvillonin spiunazh për interesa të Rusisë.

Megjithëse Edi Rama e viziton Moskën si kreu i OSBE kjo do të jetë një mundësi e mirë për ti dhënë një qasje të re marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ukraina

Sot, Edi Rama, si kryetar i radhës i OSBE-së, ka folur për Ukrainën dhe situatën në këtë vend në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rama tha se ka një situatë të rënduar në zonën e kontaktit dhe theksoi se që nga dhjetori ka 69 të vdekur dhe 20 mijë incidente.

Rama kërkoi mundësinë e vendosjes së një misioni paqeruajtës në këtë zonë.

Shmangia e përshkallëzimit të situatës në Ukrainë është një nga prioritetet që renditi kryeministri gjatë marrjes së presidencës së OSBE në Vjenë.