Interi nuk ia ka dalë t’i fitojë dy ndeshjet e fundit në kampionat në “San Siro”, pasi në të dy rastet është ndalur në barazim 1-1 nga Atalanta e më pas Cagliari, ndërsa këtë herë do të rikthehet para tifozërisë zikaltër, për të luajtur derbin e qytetit përballë Milanit.
Trajnmri Antonio Conte doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku foli me superlativa për rivalët kuqezinj dhe deklaroi se ata vlejnë shumë më tepër sesa pikët që kanë në klasifikim, ndërsa shtoi se duhet vlerësim maksimal.
“Me derbin nisim një cikël ndeshjesh mjaft të rëndësishme, që duhet t’i trajtojmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal. Sigurisht që Milani vlen shumë më tepër sesa pikët që ka në klasifikim dhe tani ka në përbërje edhe një kampion si Ibra, që i ka ndihmuar shumë. Duhet të bëjmë kujdes dhe të gjejmë mënyrën e duhur për të dalë me tre pikë nga kjo sfidë”, deklaroi tekniku zikaltër.
Handanovic është në dyshim për shkak të një dëmtimi, ndërsa edhe për aktivizimin e danezit Christian Eriksen ka dilema, veçanërisht për pozicionin në të cilin mund të luajë. Vetë Conte i ruajti për vete dilemat, duke mos zbuluar detaje në lidhje me formacionin që do aktivizojë nesër.
“Për Handanovic është më mirë të flasin mjekët, pasi ata vlerësojnë më mirë gjendjen. Eriksen është një vlerë e shtuar për ne pasi ka cilësi të mëdha teknike, por normalisht që do t’i duhet pak kohë për të kuptuar idenë tonë të lojës dhe atë çfarë kërkoj si në planin ofensiv, ashtu edhe difensiv”, tha Conte.