Ndërsa shumica e Evropës vazhdon të ketë në fuqi masa të ashpra kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit, një vend evropian ka zgjedhur një rrugë tjetër. Suedia ka refuzuar të vendos masa të ashpra kufizuese dhe banorëve të saj u është lejuar të punojnë dhe të udhëtojnë gjatë pandemisë. Në ditët e para dukej sikur Suedia kishte zgjedhur qasjen e duhur, ndërsa pandemia goditi rëndë Italinë, Spanjën dhe Britaninë, por tani shkalla e infeksionit po rritet me shpejtësi në vendin skandinav. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell njofton nga Londra.
Duket pothuajse se çdo gjë është normale, një pasqyrim i botës para pandemisë. Kafenetë, restorantet dhe klubet e natës në Suedi kanë qenë të hapura gjatë pandemisë, së bashku me shkollat fillore dhe dyqanet.
Në vend të ligjeve të reja të rrepta, qeveria suedeze u ka kërkuar qytetarëve të marrin përgjegjësi individuale për zbatimin e distancimit fizik.
Njerëzve mbi 70 vjeç dhe të sëmurëve iu kërkua të qëndronin në shtëpi. Synimi i qasjes së Suedisë ishte qëndrueshmëria.
“Unë mendoj se strategjia suedeze ka treguar se është e qëndrueshme. Ne kemi shifra tani që tregojnë se po rritet respektimi i këshillave tona nga njerëzit. Është shumë e vështirë të heqësh masat e ashpra kufizuese pasi t’i vendosësh ato, ky është mesazhi që ne po marrim nga të gjitha vendet që e kanë bërë këtë”, thotë Anders Tegnell, ekspert suedez i shëndetësisë.
Por, a ka funksionuar kjo qasje?
“Në fund, numri i të vdekurve në raport me popullsinë në Suedi tani është më i larti në Evropë që nga kjo javë. Dhe përvoja e fqinjëve të tyre nuk ka qenë aq e rëndë. Për shembull, Danimarka, e cila ka ndjekur një rrugë shumë të ndryshme, duke vendosur masa të forta kufizuese që në fillim, vërtetë pati sukses në kontrollimin e pandemisë. Ata kanë bërë më shumë testime për Covid-19 se sa Suedia. Ata kanë qenë në gjendje të lehtësojnë më shpejt masat e tyre kufizuese”, thotë eksperti Scott Rosenstein.
Pothuajse gjysma e vdekjeve në Suedi kanë ndodhur në shtëpitë e të moshuarve. Jashtë parlamentit të Suedisë, të afërmit e viktimave kanë ngritur një memorial për të dashurit e tyre, që ata thonë se vdiqën “pa ndihmë”.
“Pse ata nuk i mbrojtën qytetarët duke mbyllur kufijtë, duke mbrojtur njerëzit nga pandemia?”-pyeti Mirrey Gourie, familjar i një viktime.
Ekspertët thonë se është shumë herët të thuhet se kush kishte të drejtë.
“Ne jemi duke u mbështetur në një përvojë historike, disa modele parashikimi, por në një farë mase të gjitha vendet janë në një lloj eksperimentimi me metoda të ndryshme për rihapjen e sigurt. Dhe unë mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përpjekjen për të mësuar nga njëri-tjetri”, tha Dr. Peter Drobac nga Universiteti i Oksfordit.
Dëmi ekonomik nga pandemia në Suedi mund të jetë më i vogël, por numri i viktimave në raport me popullsinë mund të tejkalojë ato të vendeve fqinje. Debati mbi këtë çështje ka të ngjarë të intensifikohet, ndërsa pandemia vazhdon të marrë jetë./VOA