Në gjirin e Partisë Socialiste janë duke pritur vendimin e Presidentit Ilir Meta për dekretimin ose jo të kryeministrit Edi Rama si ministër i Jashtëm.
Kjo pasi, PS ka kërkuar mbledhjen urgjente të Parlamentit në orën 17:00, edhe kreu i Grupit parlamentar të shumicës, Taulant Balla i vendosi Metës afat këtë orar për t’u përgjigjur lidhur me dekretin.
Në seancën e jashtëzakonshme do të votohet përbërja e kabinetit të ri qeveritar, ndaj të gjithë i kanë sytë nga Kreu i Shtetit, i cili ka lënë pezull detyrën e Kryediplomatit, duke mos dekretuar as shkarkimin e Ditmir Bushatit.
Sipas afatit kushtetues, 7 ditor, Meta ka afat deri ditën e hënë, 21 janar për t’u shprehur, por mediat kanë insistuar duke e pyetur Presidentin lidhur me “afatin” që i vendosi Taulant Balla.
Dhe kreu i Shtetit u është përgjigjur me një ironi therëse, duke nënvlerësuar hapur thirrjen që Balla i bëri sot nga Elbasani.
“Kush është ky, Kryetari i Komisionit të Sigurisë?”, tha Meta, duk iu përgjigj me pyetje, interesimit të mediave.
Në vijim, teksa hipte në automjetin e tij, Kreu i Shtetit theksoi edhe njëherë se, “Kushtetuta është e para”, duke mos bërë më shumë komente mbi këtë çështje.