Politika A do e pranojë mandatin? Ish-këshilltari i Metës takohet me mikun Fleckenstein

A do e pranojë mandatin? Ish-këshilltari i Metës takohet me mikun Fleckenstein

Pasi u njoftua për vakancat në Parlament, të krijuara pas vendimit ekstrem të opozitës për djegien e mandateve, KQZ nisi procedurën për zëvendësimin e tyre.

KQZ ka nisur procedurat në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilët ky institucion duhet të kontaktojë kandidatët e listave respektive sipas radhës dhe t’u kërkojë atyre plotësimin e formularit të vetëdeklarimit bazuar në ligjin për dekriminalizimin.

57 kandidatëve për deputetë që janë “rezervistë” në listat e PD dhe LSI janë njoftuar se ju takon mandati pas dorëheqjes së opozitarëve, por ende është e paqartë nëse do të ketë rrjedhje të tjera në radhët e opozitës pas Myslim Murrizit, Lefter Kokës dhe Rudina Hajdarit.

Në listat e opozitës ka emra të rëndësishëm në politikë si Agron Duka, Gert Bogdani, Erisa Xhixho dhe Lefter Maliqi, ndërsa në Tiranë nga LSI po diskutohet gjerësisht për vendimin që do të marrë Ralf Gjoni.

Nëse dy vite më parë nuk arriti të futej në Parlament si pasojë e rezultatit, Gjoni ka këtë herë në dorë të zgjedhë vetë se çdo të bëjë me mandatin e “dhuruar” ndaj tij.

Ai duket se është konsultuar për këtë vendim të rëndësishëm me raportuesin për Shqipërinë në KE, eurodeputetin Knut Fleckenstein i cili vizitoi Tiranën së bashku me një delegacion të PE.

Nuk dihet ende nëse thirrja e Fleckenstein me shokë për të mbushur vendet e lënda bosh në Parlament me një opozitë tjetër do të ndikojë në vendimin e Ralf Gjonit, i cili ka qenë këshillar i Ilir Metës.

Në profilin e tij në Facebook, Gjoni ka postuar foto nga takimi me Fleckenstein në një nga lokalet e kryeqytetit dhe shkruan: “Me mikun tim të mirë Knut Fleckenstein MEP duke diskutuar për të ardhmen e Shqipërisë, nën diellin e Tiranës që po ndriçon”.

Ndërkohë për komentuesit që e kanë pyetur nëse e ka marrë vendimin, Gjoni thotë se s’është ende i bindur.

“S’kam asnjë vendimmarrje dhe asnjë mendje se si do shkojë kjo punë. Shpresoj shumë që të rikthehen në Kuvend e të mos krijojnë probleme kot”, shprehet ai.