Presidenti Ilir Meta ka reaguar për krizën politike në vend, pas djegies së mandateve nga opozita.
Meta, gjatë një deklarate për media me homologun slloven, i është përgjigjur pyetjes së gazetarit nëse do të ndërhyjë për të mundësuar dialog mes palëve për zgjidhjen e krizës.
Presidenti Meta deklaroi se ka bërë disa herë apel për evitimin e situatës politike në të cilën ndodhet sot vendi, dhe shtoi se palët duhet të reflektojnë për të mos u bërë pengesë për çeljen e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.
Deklarata e Metës:
Nuk do doja të përqëndroheshim në çështje të brendshme, por nuk mund të ndaloj pyetjet tuaja kështu që shumë thjesh mund t’ju deklaroj se jemi në kushtet e një krize politike e cila mund dhe duhet të ishte shmangur.
Në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike kam apeluar për dialog mes palëve, jo vetëm për të evituar këtë situatë, por për t’i paraprirë atij vendimi rëndësishëm për mundësinë e çeljes së negociatave dhe një ditë pas vendimit të qershorit kam tëhën që duhet të fillojmë punën për dialog, sepse siç iku një vit, mund të ikë edhe një vit përsëri.
Palët të reflektojnë me përgjegjshmëri. Kur ka vullnet dhe përgjegjshmëri, është edhe interesi kombëtar që duhet të na motivojë shumë fort, duhet të na shtyjë drejt zgjidhjeve të mençura dhe zgjidhjes politike të kësaj situate.