Rreth dy javë pasi e cilësoi një “blof” të Edi Ramës, ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer të flasë për marrëveshjen e firmosur nga Shqipëria dhe Italia, e cila parashikon ngritjen e dy kampeve për pritjen e emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër.
I pyetur nga gazetarët nëse marrëveshja mes Tiranës dhe Romës do të dërgohet nga opozita në Gjykatën Kushtetuese, Berisha tha se pavarësisht diskutimeve në Grupin e PD, ende nuk ka një vendim për çështjen.
“Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, kemi bërë një diskutim relativisht të gjatë, por pa konkluzion për këtë çështje. Dhe u shty diskutimi pikërisht për këtë çështje, të dërgimit ose jo në Gjykatën Kushtetuese, të vazhdojë në një mbledhje të veçantë.
Do mblidhet vetë grupi dhe do vendoset si do gjykohet më e përshtatshme. Unë nuk do prononcohem publikisht përpara vendimit të grupit. Unë do ndjek diskutimet dhe do mbështes vendimin e grupit pa asnjë lloj ekuivoku”, tha Berisha.