Politika Thirrja e ndërkombëtarëve për dialog, Berisha: S’ka nevojë për negociata, kjo është...

Thirrja e ndërkombëtarëve për dialog, Berisha: S’ka nevojë për negociata, kjo është një betejë për Kushtetutën

I pyetur nëse është i gatshëm të ulet në tryezën e dialogut me mazhorancën socialiste, pas thirrjes së ambasadave kryesore në vend që të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar në Parlament, Sali Berisha deklaroi se nuk ka nevoje për negociata.

Ai kërkoi nga shumica që të pranojë kërkesat e opozitës dhe të zbardhë vendimet, si kusht për kthimin e normalitetit në jetën parlamentare. “Kjo është një betejë për jetë a vdekje për Kushtetutën”, deklaroi ai.

“Ju e patë, një reaksion i jashtëzakonshëm ishte. Ju e patë se si ai tym, ai tym shumëngjyrësh u shndërrua në një ylber, në një dritë të vërtetë botërore për të vërtetën e opozitës shqiptare. Dhe në një blozë të vërtetë për Edi Ramën dhe Lindën e tij në parlament. Blozë! Ju e patë vetë, edhe sot mediat botërore hapen me këtë çështje. E pakonceptueshme, të mohosh një të drejtë kushtetuese, deputetëve për të hetuar qeverinë. Nuk mund ta bësh kurrë këtë, ti i asgjëson ata. Çfarë negociate? Me Kushtetutën nuk ka negociata. Të zbatohet Kushtetuta. Çfarë negociate? Po kërkojmë ne gjë ekstra? Vetëm Kushtetutën. Zbatimi i Kushtetutës është normalizimi i jetës parlamentare. Nuk ka nevojë për asnjë negociatë. Të shpallet zbatimi i vendimit të Kushtetueses. Të shpallet vendim që opozitës nuk mund t’i preken përfaqësuesit që cakton. Pra, kemi një njeri që ka konfiskuar Kushtetutën. Është vetëm fillimi i betejës. Kjo është betejë për jetë e vdekje për Kushtetutën. Betejë që do e fitojmë. Natyrisht do kohën e vet. A e patë apo jo si transformua tymi në dritë?”