Në kohën e krizës politike, një lëvizje e mazhorancës doli papritur në skenë, ajo e nismës së kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ajo për shkarkimin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri.
Nisma në fakt është e dy viteve më parë e u ndërmor nga Balla për shkak të qëndrimit që kishte mbajtur kryekomisioneri Zguri në lidhje me qëndrmin që mbajti për kryetarin e bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, i prekur nga Ligji i Dekriminalizimit, një zyrtar i dënuar në Itali në vitin 1995 për vjedhjen e një automjeti.
Aktualisht në Programin e Punës së Kuvendit për periudhën 4 mars-12 prill 2019 është përfshirë kërkesë/projektvendim “Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Klement Zguri, për shkelje të rëndë të ligjit”.
Gjithashtu u bë ditur se nisma mund të përfshihet në kalendarin e punimeve të komisionit parlamentar të Ligjeve.
Media kontaktoi me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, nëse mazhoranca i qëndron kësaj ideje për të shkarkuar Zgurin nga ky post.
“Është tërësisht e pavërtetë, është një nismë e vdekur”, deklaroi Balla. Burime pranë Kuvendit theksuan se përfshirja e nismës së Ballës është për arsye se shihet si pjesë e punës e nisma të mbartura, një procedurë që ndiqet edhe herët e tjera. Kjo nënkupton se mazhoranca nuk mund ta shqyrtojë atë.
Zguri është zgjedhur në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në bazë të marrëveshjes së 17 majit 2017, mes dy liderëve kryesorë të PS-së dhe PD-së, Edi Rama dhe Lulzim Basha. Kryekomisioneri Denar Biba u tërhoq, për t’i lënë postin Zgurit dhe që nga ajo periudhë qëndron në fuqi pakti Rama-Basha.
Kjo solli që opozita të tërhiqej dhe të pranonte në hynte në procesin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017-ës, duke marrë edhe disa poste ministrore kyçe.
Aktualisht KQZ-ja nuk është në funksion të plotë, pasi nga 7 anëtarë janë 5 në detyrë. Opozita nuk ka pranuar që të plotësojë dy vendet vakante. Largimi i Zgurit do të fuste në ngërç këtë institucion, i cili është në fazën e përgatitjes për zgjedhjet lokale të 30 qershorit dhe mbi të gjithë është në kohën e shqyrtimit të vendimit për zëvendësimin e mandateve të deputetëve të opozitës. Kjo do të fuste në kaos këtë institucion dhe do të ishte një “vetëvrasje” e mazhorancës nëse ndërmerr një nismë të tillë, pasi nuk do të kishte asnjë përfaqësues të opozitës në këtë institucion që vepron në mënyrë kolegjiale.