Kreu i PD-së, Sali Berisha, zhvilloi një takim në seli me kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Pas takimit me të ai zhvilloi konferencën e përjavshme me gazetarët.
Ai tregoi se me Metën ka diskutuar për bashkërendimin e të gjitha forcave për fitore më 14 Maj. Pyetjes nëse do të ketë koalicion me PL, Berisha u përgjigj duke thënë se të gjitha janë në diskutim.
Sipas Berishës, në rrafshin politik do të jetë një spektër i gjerë koalicioni.
Pyetje: Çfarë diskutuat me Metën dhe a do të keni koalicion me PL apo jo?
Sali Berisha: Përgjigja është diskutimi ishte bashkërendim i të gjitha forcave për fitoren e 14 Majit.
Pyetje: Do të ketë koalicion?
Sali Berisha: Që të gjitha janë në diskutim. Ishte diskutim i zgjeruar për fitoren. Shqiptarët presin fitoren nga opozita. Edi Rama e di që është mundur dy herë nga Sali Berisha. Kjo e treta e pret shumë shpejt. E ka të qartë. Bëri gjithçka në mënyrën më të shembull që ka bërë ndonjëherë me McGonigal, George Soros etj, por dështoi në mënyrë të turpshme.
Pyetje: Kush janë partitë opozitare që po shkon drejt finalizimit të koalicionit dhe kush janë ato që janë më skeptike.
Sali Berisha: Në rrafshin politik do të jetë një spektër i gjerë koalicioni. Në rrafshin elektoral janë duke u marrë specialistët e të drejtës zgjedhore me këtë çështje.