Kryesore A do të ndikojnë përmbytjet në fushatën elektorale gjermane?

A do të ndikojnë përmbytjet në fushatën elektorale gjermane?

Përmbytjet vdekjeprurëse të kësaj jave lanë gjurmë shkatërrimi në zona të ndryshme të Gjermanisë Perëndimore dhe kanë tronditur keq vendin.

Por, cilat kanë të ngjarë të jenë pasoja politike të katastrofës për zgjedhjet e shtatorit?

Përmbytjet kanë ndryshuar edhe klimën në fazën qendrore të fushatës zgjedhore të vendit.

Drejtuesit e partive gjermane të të gjithë spektrit politik kanë shfrytëzuar përmbytjet, ditët e shiut të furishëm dhe një periudhë të fundit të temperaturave të larta për t’i bërë thirrje kombit që të përballet me sfidat e ngrohjes globale.

Armin Laschet, pretendenti aktual konservator që kërkon të pasojë kancelaren, Angela Merkel në zgjedhjet e 26 shtatorit, fajësoi ngrohjen globale për përmbytjet e papara dhe reshjet e rrëmbyeshme.

Disa vite më parë, Laschet, i cili është gjithashtu kryeministër i Nordrhein-Westfalen i kishte minimizuar pasojat e ndryshimit të klimës.

Por, dje, gjatë një vizite në rajonet e shkatërruara, ai deklaroi se “ne do të përballemi pa ndërprerje me ngjarje të tilla dhe kjo do të thotë se duhet të përshpejtojmë masat e mbrojtjes së klimës… sepse ndryshimi i klimës nuk është i kufizuar në një shtet”.

Merkel planifikon të largohet pas zgjedhjeve të shtatorit pas 16 viteve në pushtet.

Ndërkohë, kandidati për kancelar i social-demokratëve (SPD) Olaf Scholz braktisi pushimet dhe gjithashtu udhëtoi në rajonet e përmbytura dhe shprehu tronditjen për “shkatërrimin e jashtëzakonshëm të shkaktuar nga natyra”.

Scholz tha se katastrofa natyrore që po zhvillohej në Gjermaninë Perëndimore “sigurisht që ka të bëjë edhe me faktin se ndryshimi i klimës po përparon me shpejtësi”.

Kandidatja për kancelare e Partisë së Gjelbër, Annalena Baerbock gjithashtu ndërpreu pushimet e saj verore dhe u kthye në fushatë.

Partia e saj ka përfituar tradicionalisht nga vëmendja më e madhe për mjedisin pas katastrofave natyrore.

Mbështetja u rrit për të gjelbrit pas katastrofës bërthamore të Japonisë në Fukushima në 2011.

Aksidenti detyroi gjithashtu Merkel të braktiste mbështetjen e saj të fortë për energjinë bërthamore dhe të merrte qëndrimin e energjisë antiatomike të të gjelbërve dhe të ndiqte më shumë burime alternative të energjisë për ekonominë më të madhe të Evropës.

Disa javë më vonë, Winfried Kretschmann u bë kryeministri i parë i vendit nga Partia e  Gjelbër, pasi mundi demokratët e krishterë të Merkelit (CDU), në atë që dikur ishte një qendër e CDU, shteti jugperëndimor i Baden-Wuerttembergut.

”Këtë herë, Baerbock dhe të gjelbrit mund të përfitojnë nëse tmerret e krizës së kësaj jave dhe rritja e numrit të vdekjeve ndihmojnë fushatat zgjedhore të përqendrohen më shumë në ndryshimin e klimës”, tha studiuesi i zgjedhjeve Frank Brettschneider.

Në veçanti, një vetëdije më e madhe për ngrohjen globale mund të ndihmojë Baerbock dhe të gjelbrit të rindërtojnë shpresat e tyre elektorale pasi sondazhet treguan një rënie në mbështetje pas një numri të raportimeve negative rreth Baerbock.

Por, vdekjet dhe pamjet apokaliptike nga shtetet e Nordrhein Westfalen dhe Rheinland-Pfalz dhe vendet fqinje janë gjithashtu një kujtesë e rolit vendimtar që përmbytjet e vitit 2002 luajtën në zgjedhjet e atij viti.

Në atë kohë, ish-kancelari Gerhard Schroeder – i veshur me çizme gome – ndërhyri personalisht, ndërsa përmbytjet po aq shkatërruese bënin kërdinë në lindje të Gjermanisë.

Kjo e ndihmoi Schroeder të fitonte në zgjedhjet parlamentare të një muaji më vonë.

Që nga ajo kohë, ngrohja globale është bërë një çështje më e gjerë politike në Gjermani, veçanërisht pas një vargu katastrofash kombëtare të tilla si zjarret shkatërruese në Australi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çështja tashmë po trondit aleancat në Gjermani.

Këtë javë, ndërsa Merkel viziton Uashingtonin, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ranë dakord mbi një partneritet të energjisë dhe klimës për të zgjeruar atë që ajo e përshkroi si teknologji të mbrojtur nga e ardhmja, si hidrogjeni ose energjitë e rinovueshme.