Ekonomi Forcimi i kapaciteteve për kryerjen e auditimeve të prokurimeve publike, KLSH asistohet...

Forcimi i kapaciteteve për kryerjen e auditimeve të prokurimeve publike, KLSH asistohet nga Autoriteti Kombëtar italian Kundër Korrupsionit dhe OSBE

Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Autoriteti Kombëtar italian Kundër Korrupsionit (ANAC) zhvilluan sot një takim online për nisjen e një bashkëpunimi të ngushtë në forcimin e kapaciteteve për kryerjen e auditimeve të prokurimeve publike dhe përmirësimin e cilësisë së tyre.

Kryetari i KLSH, Arben Shehu falënderoi Presidentin e Autoritetit Kombëtar italian Kundër Korrupsionit, Giuseppe Busia dhe Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco duke theksuar rëndësinë e madhe që ka lufta kundër korrupsionit në Shqipëri dhe asistenca për institucionet kontrolluese.

Ai u shpreh se “shembull i luftës kundër kriminalitetit në tërësi përfshi dhe korrupsionit janë institucionet ligjzbatuese italiane të cilat kanë bërë jo vetëm një histori suksesi, por një histori heroike”.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco tha se rreziku i korrupsionit në prokurimet publike është i lartë dhe përpjekjet për të rritur mbikëqyrjen e kësaj fushe si edhe zbatimi i rekomandimeve për uljen e rreziqeve nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme.

“Sikurse kemi parë në lajmet e këtyre ditëve në Shqipëri, rreziku i korrupsionit në prokurimet publike është i lartë dhe përpjekjet për të rritur mbikëqyrjen e kësaj fushe si edhe zbatimi i rekomandimeve për uljen e rreziqeve nuk kanë qenë kurrë më të rëndësishme.

Këto rreziqe po merren shumë seriozisht nga autoritetet shqiptare dhe Shqipëria po fillon të shohë rezultatet e institucioneve të reja gjyqësore, por më shumë mund të bëhet dhe nga institucione si për shembull KLSH-ja, që janë hallka kritike të sistemit në identifikimin dhe raportimin e dëmeve”, tha ambasadori Del Monaco.

Takim i sotëm do të konkretizohet në vijim me thellim të bashkëpunimit mes institucioneve për kryerjen e auditimeve cilësore në shërbim të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike.