Sport A do vazhdojë të jetë Reja trajner i kombëtares? Duka jep sinjale...

A do vazhdojë të jetë Reja trajner i kombëtares? Duka jep sinjale “dashurie”

Reja: “Kemi bërë gjëra të mëdha në dy vjet, e ardhmja varet nga federata”. Reagon presidenti i FSHF-së: “Kemi baza të forta, shkojmë në Euro 2024

Me mbylljen e eliminatoreve të Botërorit, ku Shqipëria zuri vendin e tretë në grup dhe ky është një sukses, pasi la pas Hungarinë, çështja më e rëndësishme në Kombëtare është vazhdimi apo jo me trajnerin Edi Reja. Italiani ka kontratë deri në fund të 2022-shit, ndërsa opinioni është i ndarë për qëndrimin e tij.

Në përgjithësi specialistët gjykojnë se Reja duhet të vazhdojë, sepse ka punuar mirë, ka të tjerë që e “dënojnë” për disa ndeshje. Pas fitores me Andorrën vetë trajneri Reja ia kaloi “topin” FSHF-së.

“Kemi bërë gjëra të mëdha në dy vjet, e ardhmja varet nga federata”

“Kam edhe një vit kontratë, sepse kemi nënshkruar deri në fund të 2022-shit. Kam një akord me federatën dhe varet prej saj dhe nga objektivat. Mendoj se kemi bërë gjëra të mëdha në dy vite mes vështirësive. Kanë debutuar disa djem, kemi gjetur lojtarë të rinj interesantë. Detyra ime dhe e federatës ishte të bëja gati ekipin për Europianin. Nëse do të jem, do të vazhdojmë në këtë rrugë. Gjithsesi, tavolinën e kemi lënë të hapur. Skuadra ka cilësi për të qenë optimistë për të ardhmen. Klasifikimi flet qartë, mendoj se kemi bërë një edicion të mirë. Ka keqardhje, sepse ndoshta dikush atje lart nuk na kë ndihmuar, kemi qenë pa fat në periudhën e fundit. Mund të bënim diçka të jashtëzakonshme”, deklaroi Reja pas takimit me Andorrën.

“Kemi baza të forta, shkojmë në Euro 2024

I shpejtë ishte edhe reagimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Ai ka lëshuar sinjale vazhdimi të bashkëpunimit me Rejën, duke evidentuar faktin se Kombëtarja ka hedhur baza të forta dhe se është rinovuar nga trajneri.

“Mbyllëm eliminatoret e Botërorit Katar 2022, pas një fitore të mundimshme, por shumë të rëndësishme ndaj Andorrës në Tiranë. Përfunduam një rrugëtim përgjithësisht pozitiv, ku si asnjëherë në histori siguruam 18 pikë. Morëm 6 fitore, rinovuam skuadrën, ju dha hapësirë elementëve të rinj dhe sot kemi një skuadër me një moshë mesatare ndër më të rejat.

Jemi gjithashtu koshientë se paraqitja me Anglinë ishte shumë larg asaj që ne pretendojmë nga kjo skuadër, apo humbjet me Poloninë sollën zhgënjim të madh, por është koha të shikojmë me besim përpara. Kemi hedhur baza të forta, kjo skuadër duhet mbështetur. Me punë, ashtu siç kemi treguar gjithmonë, do t’i arrijmë objektivat tonë, ato për të qenë protagonistë në futbollin europian dhe për të çuar Shqipërinë në Euro 2024”, – shkruan kreu i FSHF-së në faqen e tij në Facebook.