Sport Sokol Kushta, kritika për kombëtaren: 12 pikë i morën ndaj ekipeve që...

Sokol Kushta, kritika për kombëtaren: 12 pikë i morën ndaj ekipeve që janë sa lagjja e Astirit

Kombëtarja shqiptare mbylli të hënën fushatën eliminatore për Katar 2022, teksa në ndeshjen e fundit mposhti Andorrën me rezultatin 1-0. Një trepikësh që shërbeu për të siguruar vendin e tretë në grup, por edhe për të vendosur një rekord pikësh, 18, të cilat nuk i kishte mbledhur kurrë më parë në kualifikuese.

Gjithsesi, për kuqezinjtë ka pasur kritika dhe ato vijnë nga një legjendë si Sokol Kushta.

Ky i fundit nëpërmjet një reagimi në Facebook thekson se Shqipëria 12 pikë i ka siguruar nga përballje të lehta në letër ndaj kundërshtarëve që janë sa lagjja e Astirit në Tiranë, referuar këtu Andorrës dhe San Marinos. Ndaj, Kushta bën thirrje që në kombëtare të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të vazhdojnë punën për t’u përmirësuar.

“Dje (të hënën) në darkë kur u mbyll ndeshja e fundit pashë optimizëm dhe gëzim. U hap shampanja në kampin kuq e zi… Fillova të dëgjoja dhe lexoja komente pa fund dhe thashë me vete, këta ose nuk dinë fare nga futbolli ose janë hipokritë të mëdhenj. Diskutojnë për një rekord historik të pikëve të marra, por harrojnë që 12 pikë i kanë marrë ndaj 2 ekipeve që janë sa Astiri si lagje dhe 6 pikë ndaj Hungarisë në sajë të Brojës.

Asnjë nuk diskutoi për problemet dhe mënyrën e lojës, sa keq luajtëm. Unë them të ulen me këmbë në tokë dhe të bëjnë analizë të thellë për mënyrën e lojës. Kombëtarja nuk është ekipi i lagjes, por është një ekip që përmbledhë 12 milionë shqiptarë kudo që janë”, shkruan Kushta.