Deklaratat e kryeministrit për ngritjen e satelitëve shqiptar në hapësirë surprizuan jo pak ambientin politik dhe mediatik.
Por kjo nuk është hera e parë që Edi Rama ngre sytë nga qielli. Në maj të 2017-s, kryeministri shpalosi idenë e të paturit një linjë ajrore shqiptare, me ndihmën e Turkish Airlines dhe presidentit Erdogan.
“Falenderojmë shumë zotin Elkir dhe presidentin Erdogan, falë ndihmës së tyre do ta realizojmë dhe këtë objektiv të madh tonin”, shprehej Rama.
Erdogan e mbajti fjalën. Një logo e re, flamuri kuq e zi dhe avionët e TurkishAirlines u bënë Air Albania, duke i dhënë Shqipërisë mundësinë për të patur një flotë të sajën, e cila edhe pse me numër të kufizuar mjetesh, nisi fluturimet në vitin 2019.
Sot, Edi Rama është përsëri me sytë nga qielli, por mendjen duket se vijon ta mbajë në Turqi, ku prestigjiozja The Guardian shkruan për një plan hapësinor 10-vjeçar të presidentit Erdogan, ambicia e të cilit përfshin prekjen e Hënës, si dhe lëshimin e satelitëve inteligjentë.
“Në janar Erdogan zhvilloi një telefonatë me Elon Musk, drejtorin e SpaceX, kompanisë private amerikane për eksplorimin e hapësirës, për të folur mbi bashkëpunimin me kompanitë turke. Në bashkëpunim me SpaceX, Ankaraja prezantoi gjeneratën ere të satelitit të komunikimit Turksat 5A, i cili do të përdoret si për qëllime civile ashtu dhe ushtarake”, shkruan The Guardian.
Vetë Rama nuk ka treguar si do t’i dërgojë satelitët shqiptarë në hapësirë, por eksperienca me Air Albania dëshmon se Türksat mund të bëhet lehtësisht edhe “Albsat”, mjafton një logo e re dhe flamur kuq e zi.
Për momentin Kryeministri pohon vetëm si do t’i përdorë ato. Përveç ndihmës për krijimin e kompanisë dhe flotës së AirAlbania, Erdogan e ka ndihmuar mikun e tij Edi Rama me ndërtimin në kohë rekord para zgjedhjeve të spitalit turko-shqiptar të Fierit.
Lëshimi i satelitë në hapësirë mund të jetë hapi i radhës. /A2 CNN/