Ekonomi A është i besueshëm Bordi? Ibrahimaj: Marzhi i fitimit të kompanive të...

A është i besueshëm Bordi? Ibrahimaj: Marzhi i fitimit të kompanive të hidrokarbureve, më i ulët se një vit më parë

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj shprehu bindjen këtë të hënë se Bordi i Transparencës ka zbatuar aktin normativ në përcaktimin e çmimit të karburanteve.

Ministrja po ashtu tha se marzhet e fitimit të kompanive të hidrokarbureve në vitin 2022, që nga fillimin i aplikimit të bordit dhe çmimeve të vendosura nga bordi janë ndjeshëm më të ulëta se ato të një viti më parë.

“Përsa i përket besueshmërisë së bordeve, unë e them me përgjegjësi dhe me bindje të plotë që bordet dhe vendimet e bordeve kanë zbatuar aktin normativ, i cili parashikon formulën e llogaritjes së bordit të çmimit të karburanteve në çdo rast. Që do të thotë që në çdo rast që çmimi ndryshon, ndryshon në bazë të çmimit të bursës i cili i referohet një produkti të rafinuar dhe jo çmimit të naftës bruto. Ne këtë e kemi shpjeguar disa herë dhe gjithashtu unë kam bindjen e plotë, dhe jo vetëm bindje bazuar në opinion apo perceptim, por bindje të bazuar në shifra që marzhet e fitimit të kompanive të hidrokarbureve në vitin 2022, që nga fillimi i aplikimit të bordit dhe çmimeve të vendosura nga bordi janë ndjeshëm më të ulëta se ato të një viti më parë dhe për këtë ftoj të gjithë mediat, gazetarët të marrin informacione zyrtare nga institucionet përkatëse që do ju konfirmojnë këtë që unë sapo thashë”.

Ibrahimaj shtoi se çmimet e karburanteve do të vijojnë të mbahen në kontroll për sa kohë të jetë e nevojshme, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve.

“Për sa kohë që çmimet e karburanteve do të jenë ndjeshëm mbi mesataren afatgjatë, ne do të vijojmë të mbajmë këtë regjim, ndonëse nuk është vullneti jonë që të ndërhyjmë në çmimet e tregut, pasi besojmë tek përcaktimi i çmimit në bazë të kërkesës dhe ofertës. Do të vijojmë për sa kohë që është e nevojshme që çmimet e karburanteve të mbahen nën kontroll me qëllim që kostoja të transferohet sa më pak tek konsumatorët dhe tek bizneset”.