Koordinatori i partisë së re, Bindja Demokratike, Astrit Patozi thotë se projekti i ri politik në prag të zgjedhjeve lokale është produkt i disa personave. Ai shprehet se nuk është hakmarrje ndaj PD-së krijimi i kësaj force politike të spektrit të djathtë, teksa shton se për Partinë Demokratike ndjen keqardhje.
Blendi Fevziu: A është një lloj hakmarrje? A është thikë pas shpine?
Astrit Patozi: Jo, nuk mund të jetë. Kam keqardhje për shtëpinë time të dikurshme politike që është katandisur në atë nivel. Unë kam humbur çdo lloj interesi për atë parti. Zoti e ndihmoftë. Unë nuk jam si ata, por i respektoj ata.
Blendi Fevziu: Si do ta bindni një publik që ju nuk jemi përdorur nga qeveria?
Astrit Patozi: Ne jemi të sapolindur, ju thoni çfarë keni bërë ju. Publikut i kam dalë përballë me një projekt politik. Ne duam të marrim pjesë në zgjedhjet lokale dhe presim që KQZ të na pranojë. Ne nuk kemi dalë kundër dikujt. Kjo është një parti që nuk i zë vendin askujt. Mbase dalja jonë dhe vendimi jonë për të marrë pjesë në zgjedhje mund ta nxisin edhe opozitën jashtë sistemit që të kthehet në zgjedhje. Do doja shumë që PD, LSI dhe çdo parti tjetër të ishte konkurrente bashkë me ne. Ne jemi kundër këtij sistemi politik. Ne kemi dalë në tregun e ideve të Shqipërisë që partitokracia duhet rrëzuar.
Lidhur me pakënaqësitë e shprehura publikisht ndaj kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, Patozi deklaroi se ai e përzuri nga shtëpia e përbashkët politike, megjithatë shprehet i hapur për të dialoguar me të.
“Ai më ka dëbuar mua nga shtëpia politike. Erdhi, më gjeti, më vrau, më dëboi. Megjithatë, jam i gatshëm të bisedoj me Lulzim Bashën për kauzën tonë. Nëse Lulzim Basha është me kauzën tonë, ne jemi dakord”.