Studiuesi Auron Tare, njohës i mirë i botës së jahteve, një ndër pritësit e tyre në bregdetin e Sarandës, përfshirë dhe ato të shumë emrave VIP të botës, ofron një sqarim të shkurtër lidhur me jahtin e përfolur të oligarkut rus Roman Abramovich-it, ish-pronarit të Chelsea-it, rënë pre e sanksioneve perëndimore pas agresionit rus në Ukrainë.
Në fillim, Tare mohon që jahti i famshëm të ketë hyrë në ujrat shqiptare, e më pas thotë se nëse kjo do kish ndodhur, ishte e detyruar t’i shërbehej.
“Kryelajm i gjitha mediat tona: e ceku apo jo cepin e ujrave të Shqipërisë, jahti i Abramovich?
Fatkeqësisht, MY Solaris nuk hyri fare në ujrat tona, le më të ankorohej në një prej porteve shqiptare. (Preferoi Malin e Zi).
Se po të hynte jo vetëm që do t’i shërbehej menjëherë por nëse do të kërkonte mbrojtje, Ambasada Britanike do të ishte e para që do t’i përgjigjej. Pse?
MY Solaris lundron nën flamurin e Bermudës (territor nën Kurorën Britanike), i cili mban simbolin e Britanisë së Madhe dhe Irlandës, apo më thjesht simboli i Marinës Britanike.
Sipas ligjit të së drejtës detare, çdo anije që mban këtë simbol ka të drejtën e mbrojtjes së autoriteteve britanike, shërbim konsullor britanik, si dhe mbrojtjen e Flotës Britanike”, shkruan Tare.
Pse flamuri i Bermudës gëzon mbështetjen në det të Marinës Mbretërore Britanike?
Oligarku rus, i cili është larguar nga Anglia pasi u fut në listën e personave të sanksionuar nga ky shtet si kundërpërgjigje për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, i ka regjistruar të dy jahtet e tij në Bermuda, territorin britanik që ndodhet në Karaibe.
Mediat britanike kanë fotografuar jahtin Solaris në Tivar të hënën, ndërsa sot raportohet se jahti po lundron në Detin Jon, pranë ishullit grek të Kefalonisë.
Flamuri i Bermudës, një fushë e kuqe me flamurin e Mbretërisë së Bashkuar në cep, i siguron jahteve të Abramovich jo vetëm mbrojtje nga ushtria britanike në rast nevoje, por edhe mbështetje nga konsullatat britanike në të gjithë botën. Jahti ndodhej në Barcelonë të shtunën e kaluar, por u largua prej andej pasi biznesmeni duket se e parashikoi se do të përfundonte në listën e të sanksionuarve.
“Flamuri është një prej emblemave më të admiruara në det të hapur dhe çdo mjet lundrues gëzon mbështetjen e Marinës Mbretërore”, thuhet në faqen zyrtare të qeverisë britanike. Sipas rregullave, Abramovich gëzon edhe të drejtën për të kërkuar ndihmën e autoriteteve britanike, nëse jahtet e tij kërcënohen nga sanksionet e një shteti tjetër.
Ian Hodge, presidenti i Shoqatës së Marinës Tregtare Britanike, e quajti mbajtjen e këtij flamuri nga jahtet e Abramovich si një “turp”. Ai u bëri thirrje autoriteteve të Bermudës që të çregjistrojnë jahtin në mënyrë që të mos ketë mundësi të mbajë më atë flamur.