Bota Bombat ruse vrasin krye-balerinin e Operës Kombëtare të Ukrainës

Bombat ruse vrasin krye-balerinin e Operës Kombëtare të Ukrainës

Bombat ruse nuk kursejnë askënd. Artem Datsishin vdiq në moshën 45-vjeçare, nën bombardimet në Kiev. Ai ishte balerini kryesor i Operës Kombëtare të Ukrainës. Kishte luajtur në baletet kryesore të repertorit klasik, duke bërë turne edhe në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Më pas erdhi lufta në vendin e tij, e cila fshiu artin dhe e zëvendësoi muzikën me zhurmën e tmerrshme dhe fatale të bombave. Mjekët ishin përpjekur ta shpëtonin pas plagëve të marra ditët e fundit pas një ofensive tjetër ruse.

Por ai nuk ia doli. Lajmin e bëri të ditur drejtori i Operës Kombëtare të Ukrainës, Anatoly Solovyanenko në rrjetet sociale: “U vra kolegu ynë, artisti i madh, solisti shumëvjeçar dhe njeriu i mrekullueshëm”.

Ashtu si ai, edhe një tjetër yll kërcimi ka zgjedhur të qëndrojë në shtëpi dhe të marrë armët. Ai është balerini Oleksii Potiomkin që po lufton duke shpresuar që të mos e presë i njëjti fat.