Komisioneri Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ka reaguar në lidhje me deklaratat e opozitës gjatë ditës së kutitë e votimit janë hapur në mënyrë preferenciale për të krijuar një avantazh të mazhorancës me qëllim dekurajimin e numëruesve.
Ilirjan Celibashi ka mohuar në mënyrë kategorike diçka të tillë duke thënë se radha e hapjes së kutive të votimit përcaktohet qartë në Kodin Zgjedhor.
“Nga verifikimi që kemi bërë nuk rezulton që hapja e kutive të votimit të jetë bërë në mënyrë preferenciale. Janë respektuar kërkesat e ligjit për hapjen me radhë të kutive të votimit”, u shpreh Ilirjan Celibashi.
“Pengimi i procesit të numërimit nga përfaqësues politikë”
Lidhur me procesin e numërimit të votave, Celibashi u shpreh se ka pasur raste që për qëndrime subjektive nga përfaqësuesit e partive politike, procesi është penguar.
Celibashi theksoi se aktualisht numërimi është duke vijuar në të gjitha KZAZ-të në vend.
“Jemi të ndërgjegjshëm se puna është e vështirë dhe në tension. Kemi të dhëna se jo në pak raste problematike, pengimi i procesit vjen si rrjedhojë e qëndrimeve subjektive apo edhe i ndërhyrjeve politike të kandidatëve apo edhe të përfaqësuesve politikë. KQZ ka reaguar dhe pas ndërhyrjes, situata ka ndryshuar, të paktën në ato KZAZ që ka pasur probleme. Aktualisht, nuk kemi informacion që në ndonjë KZAZ të jetë ndërprerë numërimi”, u shpreh Celibashi.