Papa Françesku tha më 8 dhjetor se Lutja e Zotit, më e rëndësishmja në fenë e krishterë që besohet se është thënë dikur nga vetë Krishti, është përkthyer keq për një kohë të gjatë dhe dëshiron që ajo të rishikohet.
Papa e cilësoi të gabuar përkthimin në italisht të lutjes, në pjesën ku thuhet “Ati ynë, mos na ço në tundim”.
Sipas Papa Françeskut, ajo duhet ndryshuar.
“Është një përkthim jo i mirë. Edhe francezët e kanë ndryshuar fjalinë tani, duke e përkthyer, mos më lër të bie në tundim. Pra jam unë që bie, jo ai që më çon në tundim. Jo, një At nuk bën këtë, ai të ndihmon të çohesh. Ai që të çon në tundim është djalli”.
Në krah të Atit të Shenjtë kanë dalë disa figura të njohura të arti dhe kulturës italiane.
Përmes një letre të hapur, Adriano Celentano i jep të drejtë Papa Françeskut, duke thënë se përkthimi i duhur është ai që kanë bërë francezët.
Mirëpo jo të paktë janë ata që nuk janë pro ndryshimit, duke thënë se një lutje nuk duhet thjesht lexuar, por kuptuar mes rreshtave. Lutja “Ati Ynë” është mësuar nga vetë Jezusi, sipas të krishterëve dhe është shtylla kryesore e besimit të tyre.
Vëzhgues të tjerë vunë në dukje se përkthimi, sipas të cilit preferohet nga Ati i Shenjtë, “Dhe mos lejo të biem në tundim” tashmë është përdorur nga besimet e tjera të krishtera për shekuj.
Versioni i preferuar i Papës për lutjen në fjalë ka qenë prej kohësh në përdorim nga Kisha Katolike në Francë.