Aktualitet A ka frikë nga arrestimi? Tahiri: Jam i dyti pas Aldo Bares…...

A ka frikë nga arrestimi? Tahiri: Jam i dyti pas Aldo Bares… ( flet dhe për çantën e “Baba Takut”)

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, u njoh sot me akuzat e prokurorisë, mes të cilave trafiku ndërkombëtar i drogës apo ajo e grupit kriminal dhe përveçse e ka quajtur një proces të turpshëm, kanë spikatur disa mesazhe të tjera.

Ish-ministri me një pamje të ndryshuar dha disa mesazhe të koduara para derës së Prokurorisë për Krime të Rënda.

PJESË NGA PYETJE-PËRGJIGJET ME GAZETARËT:

TAHIRI: Akuza ishte më e rëndë se kaq… ishte trafik droge, krijimi i grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Unë besoj që, nuk më vjen ndërmend njeri tjetër, por pas Aldo Bares ndoshta, jam i dyti me këtë akuzë. Nuk është se ka ndonjë surprizë të madhe, prokuroria e komanduar, siç e nisi ashtu e bitisi këtë histori.

Pavarësisht nxitjes që ka nga brenda për t’u marrë me këtë histori, nuk dua të merrem me drejtësinë. Do të vazhdoj ta respektoj deri në fund drejtësinë.

Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar, kam parasysh politikë, krim dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.

Nuk kanë qenë bashkë dhe unë po e shoh…

GAZETARJA: A keni frikë për arrestimin tuaj?

TAHIRI: Mua nuk më frikëson gjë përveç të vërtetës. Nuk më intereson se çfarë bën prokuroria, më intereson veç e vërteta.

Unë di që ky është një proces i turpshëm, i komanduar nga fillimi deri në fund. Do ia dal dhe kësaj!

Mos u përpiqni të gjeni mesazhe të koduara, nuk kam, jam i drejtpërdrejtë. E vërteta ime është komplet e kundërta e asaj që kërkon prokuroria. Gjykata dhe prokuroria në Itali më dha të drejtë duke thënë që Saimir Tahiri nuk ka pikë lidhje me këtë histori, të ishte për prokurorinë këtu unë do isha brenda 24 orëve i arrestuar.

GAZETARJA: Është folur se Saimir Tahiri disponon materiale shantazhuese…

TAHIRI: Këtij vendi kaq të vogël i mjafton Baba Taku me çantën e zezë, nuk i duhet dhe Saimir Tahiri. Unë kam të vërtetën time.

GAZETARJA: A keni mbështetjen e Edi Ramës?

TAHIRI: Nuk më duhet fare. Mua më duhet vetëm e vërteta ime. Nëse mendoni se në këtë vend duhet patjetër dikush, të jesh në sqetullën politike të dikujt, unë ia dal dhe pa këto.