Kryeministri Edi Rama në lidhje live me emisionin “Opinion” në Tv Klan nga gazetari Blendi Fevziu ka folur për debatin për detin me Greqinë. Përballë drejtuesit të emisionit dhe një paneli gazetarë, kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë marrëveshje me detin, pasi nuk është firmosur asnjë dokument.
Kryeministri tha se marrëveshja që të ketë fuqi për zbatim duhet të kalojë disa etapa, të ratifikohet nga Kuvendi, të miratohet nga Presidenti i Republikës dhe nga Gjykata Kushtetuese nëse ankimohet pranë saj.
Ka negociata për një marrëveshje me Greqinë?
Rama: Nuk ka pasur marrëveshje deti me 3 shporta, pasi nuk bëhet marrëveshja për të ndarë karkalecat me detin. Deri tani kemi blloqe për dialogun me Greqinë, ku ne kemi shtruar të gjitha temat. Marrëveshja quhet e tillë kur ekziston. Që një marrëveshje e tillë që të ekzistojë, duhet të ketë firma dhe vula. Ajo nuk është e vlefshme dhe me firma dhe vula kur kalon në disa negociata. Nëse ka një grup negociator me plotfuqi nga Presidenti i Republikës, ky grup negociator mund të firmosë një marrëveshje, por nuk është e nevojshme nëse nuk kalon Kuvendin e Shqipërisë dhe Presidentin e Shqipërisë. Presidenti i Shqipërisë ka thënë se do e çojë marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese.
Kemi arritur në absurdin që një vend i tërë është përfshirë në një thashetheme që doli nga hiçi. Kryeministri Mitsotakis nuk ka folur kurrë në deklaratën e tij për shtrirje në ujëra që janë objekt i kësaj negociate. Ai ka folur për një parim, por që nuk është i zbatueshëm në raport me Shqipërinë. Konventa thotë se të gjitha shtetet kanë të drejtën e tyre sovrane, pra kryeministri i Greqisë ka folur për të drejtën sovrane.
Pse ka vendosur tani për zgjerim?
Rama: Nuk ka folur fare për zgjerim. Deti Jon nuk mbaron në Konispol. Ai ka folur për një të drejtë sovrane të tijën dhe ka qenë shumë korrekt, dhe ka folur kur është ratifikuar marrëveshja me Italinë. Ai foli në Kuvend dhe këtu plas peshku që është në një formë as haluçinante.
Presidenti ka kërkuar informacion?
Rama: Presidenti është në grupin e peshkatarëve. Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika e skuq peshkun nuk e kap në fakt. Këta janë autorët e një marrëveshje reale me firma me vula dhe me krenari që është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.
Rama: Dy bisedat e mia telefonike me Mitsotakis
Kryeministri Edi Rama thotë se me Greqinë nuk ka asnjë marrëveshje për detin.
Kryeministri Rama është pyetur nëse ka biseduar për këtë çështje me Kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis.
Sipas tij, me Mitsotakis ka zhvilluar dy biseda telefonike dhe në asnjë moment nuk ka biseduar për zgjerimin e Greqisë me 12 milje në Detin Jon.
“Unë me Mitsotakis kam folur dy herë. Më ka marrë në telefon dhe më ka thënë çfarë duhet të bëj unë për tërmetin. Herën e dytë kemi folur kur unë jam konsultuar me të për çështjen e përballjes me covidin. Këto janë 2 bisedat e mia me Kryeministrin grek dhe e kam takuar në ndonjë rrethanë në këmbë. Takimet e vetme që kemi pasur ka qenë njëri në OKB dhe një takim tjetër që e kemi pasur në Athinë ku nuk kemi folur asnjë sekondë për këtë çështje dhe kemi diskutuar dhe ai ka qenë shumë konstruktiv dhe shumë i besueshëm për mua për të çuar përpara një proces të nisur ng qeveria e mëparshme për të sheshuar çështjet”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.