Duke mohuar me forcë se nuk ka bërë asnjë veprim për të cilin mund të dënohet për shpërdorim detyre, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tregoi në konferencën e sotme gabimin që, sipas tij, ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
“Bëra gabimin e madh që thashë se në çfarë mase mbillej kanabisi në Shqipëri. E dija se sa më shumë ta luftoja në çdo cep të Shqipërisë, aq më shumë do të ishin akuzat. Ata që e zhytën vendin në krim, sot më akuzojnë mua”, u shpreh Tahiri.
Sipas Tahirit, edhe përpara se PS të vinte në pushtet në 2013-ën, kanabisi mbillej në të gjithë vendin dhe jo vetëm në Lazarat.
Tahiri akuzoi edhe ish-ministrat e Partisë Demokratike: “Një ministri të Brendshëm ju vranë katër qytetarë dhe nuk u akuzua për shpërdorim detyre. As kryeministri kur tha se e kishte lejuar Lazaratin, as ministri i Brendshëm kur ju vranë 28 njerëz në Gërdec.”
Sa i përket dënimit për shpërdorim detyre, Tahiri tha: “Dua të shoh kë ligj kam shkelur duke shpërdoruar detyrën. Në kulturën time një vendim gjykate vetëm ankimohet. Do ta ankimojë vendimin sapo të zbardhet dhe të më jepet e drejta. Jam i bindur se nuk e kam shpërdoruar asnjëherë detyrën.”
A ka në dorë materiale kërcënuese për qeverinë?
I pyetur në lidhje me akuzat e opozitës se ish-ministri ka në dorë të dhëna që mund të kërcënojë mazhorancën, Saimir Tahiri u përgjigj se kjo nuk është e vërtetë
“Më pyesni mua të them a janë të vërteta akuzat e opozitës kur mund të pyesni ata a mund t’i vërtetojnë. Është fyese të mendoni që kërcënuakam njerëzit me materiale. Unë në 4 vjet kam bërë detyrën dhe nuk hyj tek njerëzit që mbaj letra në xhep për të kërcënuar këdo. Është fyese për mua të mendoni që po e çaj rrugën drejt të vërtetës duke kërcënuar njerëz. Duket sikur ju realisht mendoni që ata kanë diçka që të mund të kërcënohen. E kanë bërë vërteta kaq baltë sa të jenë të kërcënueshëm? Unë mendoj që herë tjetër kur të dëgjoni deklaratat e opozitës kërkoni t’i verifikojnë ata, jo unë. E thonë se e kanë bërë vet. E dini shantazhin që i kanë bërë gjyqtarëve e prokurorëve. Kësaj rrugë i shkoj vetëm me drejtësinë time para”.