Mjeku Tritan Kalo, anëtar i komitetit teknik të epidemisë për koronavirusin nuk e përjashton mundësinë që virusi të ketë qarkulluar në vendin tonë që prej muajit janar, duke marrë shkas edhe nga numri i lartë i qytetarëve që kanë pasur shenja klinike të ngjashme me ato të Covid 19.
Testi serologjik që do të nisë nga e hëna me stafet mjekësore te Infektivi dhe Shefqet Ndroqi, thotë ai për Ora News, do të hedhin dritë edhe në këtë drejtim.
Tritan Kalo: Te ne mundet të ketë ardhur, gjithmonë janari dhe shkurti shoqërohet me një kulm të grupit ose infeksioneve grip ngjasuese. Sars Cov2 nuk ka asnjë element klinik përveç disa imazheve radiologjike më specifike se infeksionet e tjera virale që nuk janë dhe ato të gjitha të lidhura me Covid 19. Studimi që do të bëhet dhe që nis të hënën na orienton dhe në këtë drejtim. Nëse i kemi të gjithë të testuar mundet që imuniteti IgG të jetë zhvilluar para datës 8 mars kur është izoluar rasti i parë.
Po çfarë janë analizat serologjike?
Tritan Kalo: Individët që trajtohen pozitiv për Covid 19 dhe popullata jashtë këtij grupi zhvillojnë atë që quajnë imunitet. Testet serologjike synojnë për të përcaktuar tre shkallë të imunitetit në popullatë. Nëse nuk gjenden antitrupëza në organizëm do të thotë se ky organizëm nuk ka qenë fare në kontakt me virusin dhe në çdo kohë mund të bëhet pre e një infeksioni të tillë. Së dyti në organizëm pas ditës së 7 të kontaktit me virusin zhvillohen antikorpet IgM dhe pas ditës së 14 dhe 20 shfaqen antitrupëza që shfaqin imunitet më të qëndrueshëm. Përmes testit serologjik përcaktohen tre grupe individësh, individë pa asnjë imunitet, individët që kanë vetëm IgM dhe ata që kanë IgM dhe IgG që do të thotë se janë tashmë të imunizuar nga një kontakt ndoshta dhe pa zë nga ky infeksion.Fillimisht është menduar të bëhet paralelisht me PCR dhe më pas është menduar të shtrihet më gjerë në popullatë.
Mjeku i njohur infeksionist thotë se paraprakisht ky test do të zhvillohet nga laboratori i QSUT në bashkëpunim dhe me ISHP dhe më pas do të jenë autoritetet që do të vendosin.
Tritan Kalo: Është përcaktuar që do të jetë laboratori në QSUT në bashkëpunim me ISHP pastaj mundësia e bërjes do të përcaktohet nga autoritetet gjithmonë pasi të vlerësohen testet dhe teknika e përcaktimit. Në laboratorin e QSUT testet janë të vlerësuar, teknika që do të përdoret është tashmë e vlerësuar dhe efikase. Më pas do të mendohet për të shtrirë gamën e ekzaminimit të popullatës.