Në SHBA ka rreth 60 milionë mace shtëpiake, që do të thotë se rreth 1 në 4 familje kanë të paktën një mace në shtëpi!
Me shkathtësinë e tyre të mahnitshme – dhe një aftësi të natyrshme për t’iu shmangur me çdo mënyrë vdekjes – shprehja se macet kanë 9 jetë ka bërë jehonë në civilizime dhe shoqëri të ndryshme gjatë gjithë historisë së njerëzimit.
Por cila është origjina e vërtetë e kësaj shprehjeje?
Macet nisën të jetonin krah për krah humanëve në Lindjen e Afërt gjatë periudhës së Neolitit, rreth 10,000 vite më parë. Mendohet se transferimi ynë nga jeta si gjahtarë-grumbullues në fermerë ka qenë e dobishëm edhe për macet antike.
Teksa njerëzit kultivonin tokat dhe nisën të ruanin ushqimin në depo e rezerva, kjo tërhiqte kafshët pre të maces si minjtë dhe gjarpërinjtë. Marrëdhënia e njerëzve me macet në fakt u kthye në një simbiozë të natyrshme dhe diçka të dobishme për të dyja speciet – njerëzit po i siguronin maceve ushqim dhe strehim ndërsa macet ndalonin brejtësit para se ata të vidhnin apo infektonin ushqimet e tyre.
Zbutja e maceve nisi me ritme të shpejta në Egjiptin e Lashtë. Ky civilizim njihej për adhurimin e maceve – shumë prej perëndive të tyre pasqyroheshin si njerëz me kokën e maces. Macet shtëpiake në fakt edhe balsamoseshin nga egjiptianët e lashtë dhe varroseshin si mumie.
Por përse 9 jetë?
Është sugjeruar se ideja se macet kanë nëntë jetë ka origjinën nga Egjipti i Lashtë. Një nga perënditë egjiptiane Atum-Ra thuhet të merrte formën e maces në mënyrë që të shkonte në botën e nëndheshme, ku ai solli në jetë 8 mace të tjera perëndi. Si pasojë, disa njerëz e lidhin idenë se macet kanë 9 jetë pikërisht me këtë mit.
Por, sipas ekspertëve askush nuk mund ta di vërtetë origjinën e kësaj shprehjeje. Në kultura të tjera ky numër ndryshon. Për arabët macet kanë 6 jetë, për spanjollët ato kanë 7.
Sigurisht ky nocion është i lidhur me faktin që macet shihen si krijesa tejet me fat, duke qenë se kanë mundësi t’i shpëtojnë rrezikut në mënyra që shpesh duken të pabesueshme.
A ia hedhin vërtetë vdekjes macet?
Histori dhe video virale ku macet i shpëtojnë vdekjes edhe pas rënieve nga lartësi të mëdha janë bërë të zakonshme tashmë. Një mace njujorkeze thuhet të ketë rënë nga 32 kate dhe të ketë shpëtuar, duke pësuar vetëm një ciflosje dhëmbi dhe një shembje të lehtë në mushkri.
Një arsyeje përse macet kanë mundësinë t’i mbijetojnë këtyre rrëzimeve të rrezikshme është edhe një fenomen i njohur si ‘refleksi korrigjues’. Ky është një refleks balancues i cili i lejon atyre të orientojnë veten ndërkohë që bien nga lartësitë në mënyrë që të zbresin në këmbë në momentin që prekin tokën.
Ky refleks së bashku me kockat dhe ligamentet e tyre tejet fleksibël janë arsyet përse këto kafshë misterioze kanë mundësinë t’i shpëtojnë rënieve nga lartësitë që për kafshë të tjera do të ishin fatale.
“Macet janë kurioze nga natyra dhe nuk e mendojnë dy herë para se të eksplorojnë situata të reja dhe të panjohura gjë që nuk është gjithnjë në favorin e tyre. Sidoqoftë, macet janë grabitqare të përgatitura. Ato i dinë limitet e tyre dhe kanë një shkathtësi marramendëse që iu lejon të reagojnë shpejt kur përballen me rrezikun.
Macet janë kafshë të vogla, që gjuhen nga grabitqarë më të mëdhenj si ujqit, kojotet, leopardët etj, ndaj ata kanë evoluar për të qenë ‘artistë të arratisë’” – thotë Celia Haddon, eksperte e sjelljes së felinëve.