Mark Galeotti – The Telegraph
Vladimir Putin po lufton për jetën. Për shkak të luftës brutale dhe të konceptuar keq në Ukrainë, për shkak të asaj kryqëzate personale që ai imponoi në vendin e tij, ushtria e tij është fundosur jashtë vendit dhe ekonomia ruse po vuan nën sanksionet e paprecedenta perëndimore.
Për 22 vjet, ai ishte i vetmi konstant në politikën ruse, por nuk është për t’u habitur që njerëzit po mendojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm për Rusinë pa Putinin, por edhe se si do të duket fundi i tij në të vërtetë.
Në fund të fundit, kush mund ta kishte imagjinuar që një vend i zhytur kaq thellë në sistemin ekonomik global mund të përjashtohej kaq shpejt prej tij?
Kush mund ta imagjinonte që një vend me praktikisht më shumë se gjysmë miliardë paund rezerva valutore mund të diskutonte tani rregullimin urgjent të çmimeve të barnave, ushqimeve bazë dhe kujdesit për fëmijët?
Kush mund ta imagjinonte që makineria ushtarake në të cilën Putini kishte investuar kaq shumë për një periudhë kaq të gjatë kohore, mund të pengohej kaq shpejt pasi të hynte në tokën e Ukrainës fqinje?
Në të vërtetë, Putini, një njeri që vetëm katër ditë më parë u betua për të shkatërruar “makinën anti-ruse të krijuar nga Perëndimi”, sinjalizoi të hënën se ishte gati të reduktonte humbjet e tij. Kushtet e ofruara për Kievin mbeten jorealiste dhe të papranueshme, por edhe pse më parë ai donte të pushtonte të gjithë vendin në mënyrë që, sipas tij, ta “dezinfektonte”, ai tani po kërkon “vetëm” Krimenë dhe rajonin juglindor të Donbasit. Natyrisht, në të njëjtën kohë, ai po shton sulmet e tij, duke shpresuar të arrijë një marrëveshje nga një pozicion i fortë pas pushtimit të më shumë qyteteve. Mirëpo, duket se ky pushtetar, i cili ka humbur plotësisht lidhjen me realitetin, është i vetëdijshëm se ky rrënim kërcënon si atë, ashtu edhe regjimin e tij.
Në një sistem që është bërë kaq i personalizuar dhe autoritar, mekanizmat e zakonshëm të transferimit të pushtetit nuk zbatohen. Kjo është arsyeja pse ka shumë shpresë se ka nga ata në Rusi dhe jashtë saj që po pyesin nëse të paktën vdekshmëria e tij do të ndihmojë.
A është Putin i sëmurë?
Thashethemet po përhapen. A është frika e tij e pazakontë nga infeksioni – nëse nuk neglizhojmë edhe atë tryezë jashtëzakonisht të gjatë, ku presidentit brazilian Bolsonaro iu desh të bënte deri në pesë teste për COVID që të mund të shtrëngonte duart me Putinin – një shenjë se ai vuan nga një sëmundje që dobëson sistemin e tij imunitar ? Pamjet që tregojnë dorën që i dridhet mund të vërtetojnë se ai ka sëmundjen e Parkinsonit.
Ënjtja e fytyrës mund të jetë një shenjë e trajtimit me steroide. Sëmundja ose ndjenja e vdekjes që po afrohet mund të shpjegojë trillin e tij si dhe arsyen pse një udhëheqës i cili në të kaluarën ishte shumë më i kujdesshëm sesa imazhi i tij macho do të sugjeronte, tani është bërë befas një plak i zemëruar, i cili është qartësisht i nxituar.
Duke përjashtuar çdo ngjarje “deus ex machina”, është e vështirë të imagjinohet që Putini të tërhiqet vullnetarisht. Pa dyshim, ai herë pas here luante me idenë e transferimit të kompetencave të tij presidenciale te një pasardhës, ndoshta duke ruajtur një lloj roli si “babai i kombit”. Megjithatë, në një sistem ku politika është më e rëndësishme se ligji, kjo do të thotë të vësh veten në mëshirën e të tjerëve dhe Putini nuk është një njeri që i beson kujt. Përveç kësaj, ai është padyshim i fiksuar pas vendit të tij në histori – ai mund të tërhiqej vetëm nga një pozicion i lartë, por tani është e vështirë të imagjinohet ndonjë triumf në të ardhmen e tij.
Teorikisht, Putini mund të hiqet me kushtetutë. Neni 93 lejon revokimin në rast të veprave të rënda penale. Megjithatë, kjo do të kërkonte jo vetëm një shumicë prej dy të tretash kur votohet në të dy dhomat e parlamentit, por edhe pëlqimin e Gjykatës së Lartë. Të gjitha këto institucione janë plot me besnikët e Putinit, kë shtu që është pothuajse e pamundur të imagjinohet organizimi i ndonjë komploti që Kremlini nuk do ta kishte vënë re.
Në fund të fundit, jo vetëm Agjencia Federale e Sigurisë (FSB), së cilës i frikësohen të gjithë, është përgjegjëse për monitorimin e elitës, por është edhe detyrë e një organizate edhe më të fshehtë, Agjencisë Federale të Mbrojtjes (FSO). E njohur për rojet e saj të Kremlinit me uniforma shumëngjyrëshe dhe truprojat personale të Putinit me kufje në vesh, FSO i raporton presidentit çdo mëngjes për atë që po ndodh me elitën, sipas agjentëve, informatorëve dhe bisedave të përgjuara. Ky është ndoshta një lexim shumë interesant këto ditë.
Opsioni më ekstrem
Opsioni më ekstrem që disa në Perëndim po diskutojnë hapur është mundësia e vrasjes. Kjo nuk ka gjasa për shkak të masave të forta, për shkak dhe të paranojave.
Këto ditë ai udhëton rrallë, përveç Kremlinit dhe pallateve të tjera. Ai udhëton me një aeroplan presidencial ose limuzinë të blinduar Aurus Cortez, i shoqëruar nga një kolonë e madhe motoçiklistësh, furgona plot me oficerë të armatosur rëndë të FSO, ambulanca dhe automjete të luftës elektronike që bllokojnë të gjithë detonatorët e mundshëm të bombave përgjatë rrugës dhe devijojnë dronët. Si një monark mesjetar, ai ka një shijues ushqimi, madje edhe ajri në pallatet e tij, i cili teston vazhdimisht për patogjenë dhe helme.
Car Nikolla II u vra nga bolshevikët, por vetëm pasi ata arritën ta kapnin atë dhe familjen e tij. Sundimtari i fundit i Rusisë që ra viktimë e atentatit ishte Cari Aleksandër II, 140 vjet më parë, dhe FSO nuk ka ndërmend të lejojë që diçka e ngjashme të ndodhë ndërsa ata janë në roje.
Atëherë ç’mbetet?
Është një shenjë e kohës që qarkullojnë thashetheme – në dukje krejtësisht të fabrikuara – se ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu dyshohet se po planifikonte një grusht shteti. Sigurisht të vetmet institucione që duken të afta për të rrëzuar Putinin në një grusht shteti janë ose agjencitë e sigurisë ose, më shumë gjasa, ushtria.