Studiuesi Auron Tare sjell një detaj historik të panjohur deri më sot
Pas Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali së bashku me dërgatën shqiptare vizitonte Londrën për të lobuar mbi të ardhmen e kufijve shqiptarë, të vendosur në hotelin e famshëm të kohës, Hotel Cecil. Aty, Ismail Beu shkaktoi një kuriozitet të fortë diplomatik kur u pyet nga një korrespondent amerikan mbi mundësinë e një mbreti amerikan për vendin e saposhpallur të pavarur, shkruan studiuesi Auron Tare
“Nëse ish-Presidentin Roosevelt (Teddy Roosevelt) e kërkon Kurorën e Shqipërisë, ne do ta vendosnim atë në krye të listës së kandidatëve. Unë personalisht do të votoja për të. Roosevelt është një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm sot në botë në një nivel shumë më të lartë së sa një princ i zakonshëm“, do të deklaronte Ismail Beu për korrespondentin amerikan në Londër.
Sipas studiuesit Tare, si një diplomat i sprovuar, mesa duket për të mos krijuar tensione me diplomacinë angleze, Ismail Qemali shtoi me buzëqeshje:
“Unë e konsideroj z. Roosevelt si një njeri shumë të aftë, por jo të përshtatshëm për Shqipërinë. Mund të sugjeroj se z.Asquith (kryeministri i Britanisë së Madhe) apo djalin e Pier Pont Morgan; mund të ishin mbretërit tanë. Janë të gjithë burra të aftë, por për ne është çështje serioze dhe duhet kohë për t’u marrë në konsideratë”.