Pas kthimit të më shumë se 100 shqiptarëve që shkuan për të luftuar përkrah Shtetit Islamik, Kosova përballet tanimë me një sfidë edhe më të madhe: riintegrimin e tyre dhe çrrënjosjen e ekstremizmit të dhunshëm në mesin e komuniteteve myslimane.
Ndërkohë që qeveria ka nisur hetimin, marrjen në pyetje apo edhe dënimin e grave dhe burrave të kthyer, ekspertët amerikanë sugjerojnë zbatimin e programeve afatgjata për të zhdukur nga rrënjët shkaqet e përhapjes së kësaj ideologjie të dhunshme.
Instituti Amerikan i Paqes publikoi të mërkurën një raport mbi luftën kundër ekstremizmin, duke theksuar se për të ndaluar përhapjen e radikalizmit duhen luftuar shkaqet bazë që i bëjnë njerëzit më të ekspozuar ndaj këtij fenomeni. Në aktivitetin për publikimin e raportit, zyrtarë në Departamentin e Shtetit iu përgjigjën edhe pyetjeve për kthimin e luftëtarëve të huaj në Kosovë.
Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright deklaroi se një element jetik për suksesin e parandalimit të terrorizmit në vende të brishta si Kosova janë zgjidhjet e brendshme dhe jo të imponuara nga jashtë.
“Ne luftuam kundër gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, por nuk qëndruam aq gjatë sa ç’duhej. Duhet kohë për t’u dhënë udhë çështjeve të qeverisjes për të cilat po flasim, që të gjejmë mënyra për të mos lejuar grupe ekstremiste të hyjnë në një vend dhe t’i ngatërrojnë gjërat prapë, pasi jemi marrë një herë me to”, deklaroi zonja Albright. “Duhet të motivohen njerëzit që të zgjidhin problemet e tyre dhe jo të ndjehen sikur po u thuhet se çfarë të bëjnë, por ta kuptojnë se janë pjesë e zgjidhjes”, shton ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit.
Sipas saj, zgjidhja kundër ekstremizmit do të ishte një kombinim mes përpjekjeve të brendshme dhe atyre nga jashtë. Ajo thekson se roli i Shteteve të Bashkuara është i rëndësishëm por duhet siguruar mbështetje nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, pasi zgjidhjet afatgjata kërkojnë kohë.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për riatdhesimin e luftëtarëve të huaj që iu bashkuan Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, por Kosova, është ndër të vetmet që ka pranuar rikthimin e 110 personave të radikalizuar.
Alina Romanowski, Zëvendës Koordinatorja e Parë për Antiterrorizmin në Departamentin e Shtetit sinjalizoi se Uashingtoni do të mbështeste dhe ndihmonte Kosovën për integrimin e qytetarëve të kthyer nga Siria.
“Pra ne nuk po themi ‘thjesht pranoni luftëtarët e huaj!’ Ne po zbatojmë një sërë përpjekjesh me të cilat mund të ndihmojmë këto qeveri në vendet që i pranojnë ata. Por në fund të fundit janë vetë këto vende që duhet të gjejnë mënyrat se si të riintegrojnë luftëtarët që shkuan drejt Sirisë dhe Irakut”, tha ajo. “Ne kemi përfaqësuesit tanë ligjorë në ambasada, këshilltarë ligjorë në Ballkan që po punojnë direkt me qeveritë, si edhe duke trajnuar prokurorë dhe gjykatës, që nëse është e nevojshme të ndjekin penalisht dhe të burgosin”.
Raporti i Institutit Amerikan të Paqes ngre alarmin se sa më i brishtë është vendi, aq më e vështirë është lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm. Steven Hadley, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Institutit të Paqes, thotë se këto vende shndërrohen njëkohësisht edhe në teatër për rivalitetin e fuqive të mëdha. Ai e sheh çelësin tek përgjegjshmëria e qeverive të vendit.
“Nuk mund të kesh stabilitet afatgjatë dhe shoqëri që të kenë aftësinë të mos shpërbëhen nga terrorizmi, nga valët e migracionit dhe nga ndërhyrja e fuqive të jashtme, nëse qeveritë nuk u përgjigjen nevojave të vendit, nuk shihen si legjitime nga populli i vet, nëse nuk janë të zota që të sigurojnë shërbimet që u duhet njerëzve, si arsimi dhe shëndetësia dhe nëse nuk kanë një vizion të shoqërisë të cilin populli e mbështet dhe për të cilin ka vullnetin të punojë”, deklaron ai.
Por si mund t’i integrojë Kosova luftëtarët e sapo kthyer dhe a ka mjetet e duhura për parandaluar përhapjen e mëtejshme të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm? Disa modele mjaft efikase vijnë nga vendet evropiane, shumica e të cilave u përballën në vitet 2015-2016 me një valë edhe më të dhunshme ekstremizmi. Shembulli kryesor vjen nga një qytet në Danimarkë apo edhe nga një projekt gjerman që u ofron ekstremistëve një perspektivë për t’u riintegruar në shoqëri.
Danimarka: Modeli Aarhus
Aarhusi është qyteti i dytë më i madh në Danimarkë. Ai pushtoi mediat botërore kur miratoi një politikë për të mos i burgosur të rinjtë që ishin bashkuar me ISIS ose Al-Kaidën. Qyteti ofron shërbime të posaçme këshillimi dhe monitorimi për të radikalizuarit, si dhe programet të veçanta sociale për të rinjtë që janë përgatitur për të kryer veprime të dhunshme. Modeli Aarhus është i njohur edhe për përqendrimin e tij në rehabilitimin e luftëtarëve që janë kthyer nga Siria. Rehabilitimi përfshin prindërit, rrjetet familjare, punëtorët socialë dhe mësuesit, të cilët të gjithë ofrojnë mbështetje për të rinjtë në rrezik.
Pse funksionon
Modeli “Aarhus” funskionon sepse krijon besim mes autoriteteve dhe ekstremistëve. “Unë do të doja t’i ndiqja penalisht këta njerëz, por në mungesë të provave, është më mirë t’i ndihmojmë të riintegrohen në shoqëri, sesa t’i lëmë vetëm”, thotë Allan Aarslev, komandanti i policisë që drejton programin. Sipas modelit “Aarhus”, në vend të burgimit autoritetet ofrojnë mundësi punësimi për ata që duan të largohen nga organizatat ekstremiste.
Modeli gjerman
Në Gjermani u zhvilluan qasje të ndryshme për monitorimin dhe integrimin e grupeve ekstremiste islamike, por edhe ato të krahut të djathtë. Një program i rëndësishëm ishte iniciativa për t’i ndihmuar individët të largohen nga ekstremizmi, duke ofruar mundësi trajnimi ose mundësi punësimi. Kjo qasje nuk lufton terrorizmin dhe ksenofobinë; përkundrazi, por ofron ide se si të adresohen gradualisht faktorët themelorë që i lejojnë grupet ekstremiste të zgjerohen në komunitet.
Pse funksionon?
Dëshmitë sugjerojnë se një nga faktorët e suksesit të programit ka qenë marrja parasysh e faktorëve socio-ekonomikë. Pjesëmarrësit e programit mund të gjejnë një mënyrë për të lënë grupet ekstremiste dhe të mund t’i kthehen një jete “normale”. Programi ka treguar se shumë të rinj janë zhgënjyer me rrugën që kanë marrë dhe se duan të riintegrohen në shoqëri. Megjithatë, një nga mësimet e vlefshme nga Gjermania është se riintegrimi nuk ndodh brenda natës, por kërkon strategji afatgjata, si dhe kontribute adekuate financiare.
Mbretëria e Bashkuar: Strategjia “Parandalo!”
Strategjia e Parandalimit në Mbretërinë e Bashkuar është pjesë e një programi më të gjerë për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm. Ai bazohet në katër fusha: Ndjekja e të dyshuarve për të ndaluar sulmet terroriste, parandalimi i të radikalizuarve që të kthehen në terroristë, mbrojtja e komunitetit nga një sulm terrorist dhe përgatitja për të zbutur ndikimin e një sulmi terrorist.
Strategjia “Parandalo” është fokusuar në përgjigjen ndaj sfidës ideologjike që paraqet terrorizmi dhe ekstremizmi. Përmes angazhimit me sektorë të ndryshëm, ajo synon të ofrojë ndihmë praktike për ata që janë më të ekspozuar ndaj ideologjive ekstremiste dhe t’u japë atyre këshilla dhe mbështetje. Ajo përfshin programet e monitorimit, mbështetjen e autoriteteve lokale dhe programe sociale për integrimin e të radikalizuarve.
Belgjika: Modeli “Mechelen”
Qyteti i Mechelenit, gjysmë ore larg nga Brukseli, është një tjetër shembull tjetër se si komunitetet mund të merren vetë me radikalizmin. Nga të gjitha vendet evropiane, Belgjika ka numrin më të madh të luftëtarëve të huaj. Mechelen është një qytet multikulturor me një komunitet të madh mysliman.
Qyteti ka adoptuar një program mjaft efikas për parandalimin e ekstremizmit, duke forcuar dialogun mes policisë dhe komunitetit. Programi Mechelen e vë fokusin tek siguria de metodash parandaluese. Ai nuk ka rënë kurrë pre e asnjë sulmi terrorist, falë paralajmërimeve që vinin nga vetë anëtarët e komunitetit për personat e radikalizuar.