Politika A po hetohet Erion Veliaj? Dumani sqaron vetëm çështjen e ‘kolegëve’: Kemi...

A po hetohet Erion Veliaj? Dumani sqaron vetëm çështjen e ‘kolegëve’: Kemi kolegë vetëm ata që janë në SPAK dhe BKH

Kreu i SPAK, Altin Dumani nuk i është përgjigjur në mënyrë specifike deputetit demokrat Dashr Sula, i cili e pyeti nëse ka nisur një procedim penal ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Dumani ka deklaruar se për këtë pyetje nuk jep përgjigje.

Ndërkohë Sula e ka pyetur edhe lidhur me një deklaratë të Veliajt, kur tha se janë kolegë, teksa Dumani u shpreh se kolegë ka vetëm prokurorët e SPAK dhe hetuesit e BKH.

“A ka nisur një procedim ndaj Veliajt? A e keni koleg”, iu drejtua ndër të tjera Sula, Dumanit.

“Lidhur me pyetjen a ka filluar procedim penal për Veliajn në SPAK, kësaj pyetje nuk i jap përgjigje, as për ju as mediat, sepse është çështje hetimi. Sa i takon çështjes kolegë apo jo kolegë, ne kemi kolegë vetëm njëri-tjetrin në SPAK dhe hetuesit e BKH-së”, u shpreh Dumani.

Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve, Dumani deklaroi se po bëhen hetime investigime për inceneratorin e Tiranës, aferë për të cilën pak javë më parë dëshmoi në SPAK pikërisht Erion Veliaj.

Dumani tha se tani paratë nuk shkon për pronarët, por shkojnë tek Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara

“Që nga muaji gusht është sekuestruar dhe çdo para shkon në llogari të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Sekuestruara, zero para shkon te pronarët. Shkon te Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara”, tha Dumani.

Po ashtu, ai tha se është e mirëpritur nga Prokuroria e Posaçme heqja e barrierave që kanë të bëjnë me kufizimin e kontrollit për deputetët e Kuvendit.

“Është e mirëpritur çdo iniciativë për heqjen e atyre pak pengesave pasi duhet të jemi realistë, ne jemi të lirë të hetojmë. Momenti tjetër është kontrolli dhe arresti. I mirëpritur nga ne do të ishte heqja e kufizimit që ka të bëjë me kontrollin, pasi është një mjet kërkimi prove për të gjetur provat duhet të kërkosh”, tha Dumani.