Sport Merr fund me dështim epoka Zhang, “Oaktree Capital” merr drejtimin e Inter

Merr fund me dështim epoka Zhang, “Oaktree Capital” merr drejtimin e Inter

Epoka e Zhang te Interi ka përfunduar pas 8 vitesh. Dështimi për të kompensuar borxhin e marrë në vitin 2021 ka bërë që familja kineze të humbas zikaltërit pa asnjë përfitim, që tashmë do të jenë nën administrimin e Oaktree Capital.

Fondi me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka marrë zyrtarisht drejtimin e kampionëve të Italisë. Problemet financiare të Interit kanë qenë të shumta në këtë periudhë, sidomos nga pandemia e Covid-19, situatë që ka shkaktuar krizë të madhe likuiditeti nga fondi Suning.

Prandaj në pranverën e vitit 2021, pronarët e Interit morën një hua tre-vjeçare prej 275 milionë Euro nga kompania amerikane, që do të mbulonin shpenzimet operative të klubit. Së bashku me interesat, kjo shifër shkon në total rreth 400 milionë Euro, shumë e cila ka sjellë edhe ndryshimin e pronësisë të Kampionëve të Italisë, vendosur si kolateral për marrjen e borxhit.

Përgjatë 8 viteve nën drejtimin e pronarëve kinez, Inter ka fituar 7-të trofe, dy tituj kampion, ndërsa arritën edhe në finalet e Champions dhe Europa League. Prej kohësh, familja Zhang ishte në kërkim të një blerësi, ku kërkonte rreth 1.2 miliardë Euro për aksionet e klubit, por kjo shifër që nuk u ofrua nga askush.