Delfinët nuk po i frekuentojnë përsëri kanalet e Venecias, por është e vërtetë që natyra po i përgjigjet faktit që një e treta e popullsisë së botës tani është e mbyllur për shkak të pandemisë globale COVID-19.
Më shumë zogj janë duke kënduar në Francë, dhelprat po qarkullojnë jashtë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe drerët janë duke bredhur në stacionet e metrosë në Japoni.
Rezultati më i dukshëm, sidoqoftë, është rënia e ndotjes, duke qenë se avionët, trenat dhe automjetet e panumërta në ndalje.
“Copernicus”, shërbimi i BE për monitorimin e klimës, ka zbuluar se nga mesi i shkurtit deri në mes të marsit, nivelet e dioksidit të azotit në veri të Italisë po binin me një normë prej rreth 10 përqind çdo javë. Agjensia Evropiane e Mjedisit konfirmoi se ndotja në Milano ishte 21 përqind më e ulët javën e kaluar kur u krahasua me të njëjtën javë në vitin 2019. Trende të ngjashme janë vërejtur edhe në Kinë.
Të dhënat e marra nga matjet e muajit 2019, krahasuar me ato të muajit mars 2020, tregojnë se ka një zvogëlim të ndotjes, sepse kamionët dhe automjetet nuk po lëvizin më dhe nuk lëshojnë grimca në atmosferë.
Ky është padyshim një lajm i mirë. Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se 4.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga shkaqet që i atribuohen drejtpërdrejt ndotjes së ajrit, kështu që çdo lloj uljeje mund të ketë një ndikim njerëzor, thotë “Euronews”.
Fatkeqësisht, ndërsa ndotja në rënie mund të nënkuptojë frymëmarrje më të lehtë dhe të zvogëlojë rreziqet shëndetësore për miliona në të gjithë botën, nuk do të thotë shumë për vetë planetin. Sasitë e gazrave serë që pompohen në atmosferë çdo vit janë thjesht shumë të mëdha për një ngadalësim afatshkurtër si ai që po shohim tani për të pasur vërtet një ndikim të dukshëm.
Sipas ekspertëve, e gjitha kjo është shumë larg të ashtuquajturit ndryshim klime. Mund të ketë një rënie të vogël në Kinë, prej 25 përqind, por që përfaqëson vetëm një për qind gjatë gjithë vitit. Pra, jo, kur bëhet fjalë për nivelet e CO2 në atmosferë, ato janë akoma në nivelin e tyre më të lartë në diçka si tre milion vjet. Herën e fundit që kishte nivele kaq të larta të CO2 kishte pemë në Arktik dhe oqeanet ishin disa dhjetëra metra më të larta sesa tani. Jo, ndryshimi i klimës është akoma larg, pavarësisht se çfarë ndodh me këtë koronavirus.