Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ata që thonë se po shpopullohet Shqipëria nga keqqeverisja “ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër”.
“Jemi në një botë ku lëvizja ka një tjetër hapësirë dhe tjetër shpejtësi. Jemi në mes të një kontinenti ku shumë afër nesh është epiqendra e pasurisë së botës. Patjetër që një të riu që ndodhet në një fshat kudoqoftë në Shqipëri, i cili me një klikim ka pranë Kim Kardashianin dhe Cristiano Ronaldon, nuk është e lehtë t’i thuash “rri këtu se do të bëjmë bashkë Shqipërinë”. Patjetër që ikja e njerëzve ka brenda edhe problemet e veta, por kush thotë se ikja e njerëzve lidhet me qeverisjen, ose nuk kupton asgjë, ose është i poshtër”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “faktet e bazuara në shifrat e Eurostat, tregojnë se nga BE janë kthyer 155 000 shqiptarë”.
“Periudha 2007-2012 ka pasur 49% më shumë emigrim sesa në 2013-2019. Shqiptarët kanë ikur, ikin dhe do të ikin; kanë ardhur, vijnë dhe do të vijnë. Shyqyr që është kështu, nuk e duam më bunkerin e Enver Hoxhës”, theksoi Rama.