A e keni ndonjëherë ndjenjën sikur dikush po ju shikon? Kjo gjë edhe mund të bëhet nga dikush që ndodhet shumë më larg seç mund ta mendoni. Shkencëtarët kanë zbuluar pjesë të galaksisë sonë nga ku mund të vëzhgohet Toka… Pyetja është nëse ekziston jetë inteligjente që është duke na vrojtuar.
Eksplorimi i hapësirës tregon etjen e njerëzimit për të kërkuar botë të largëta dhe për të mësuar më shumë rreth gjithësisë.
Po sikur në gjithësi të ekzistojnë forma jete që po bëjnë të njëjtën gjë? Astronomët kanë gjetur yje në galaksinë tonë nga mund të shihet Toka.
Ata shfrytëzuan një teknikë që përdoret për të kërkuar nëse ekziston jeta në planete të tjera dhe e kthyen nga ana tjetër, pra jo më për të parë çfarë ka atje, por duke u përpjekur të gjejnë se nga cilat objekte të gjithësisë shihet Toka.
Astronomët përdorën teleskopin hapësinor Gaia të Agjencisë Evropiane të Hapësirës për të kryer rrotullimin, duke kërkuar përgjigjen se cilat sisteme diellore mund ta shohin Tokën ndërsa kalon para diellit.
Përgjigja është se ekzistojnë shumë…
Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve del se ekzistojnë 1,715 yje në galaksinë tonë dhe qindra planete të mundshme si Toka që sillen në orbitë rrotull këtyre yjeve, që kanë pasur pamje të papenguar të Tokës, thuhet në një studim të publikuar të mërkurën në revistën “Nature”.
“Kjo pjesë e galaksisë nuk është vendi ku ne kërkojmë planete të tjera, sepse është pjesë shumë e ngarkuar për të cilën nuk kemi njohuri aq sa kemi në lidhje me pjesët e tjera të gjithësisë. Por punimi ynë në thelb u jep njerëzve një arsye vërtet të mirë për të shikuar në atë drejtim. Gjithçka bazohet në idenë e vjetër të kërkimit të jetës inteligjente jashtëtokësore, e cila beson se nëse ata na kanë gjetur tashmë, mund të jenë duke na dërguar sinjale”, thotë Lisa Kaltenegger, autore e studimit nga instituti “Carl Sagan”, Universiteti “Cornell”.
Shkencëtarët analizuan 331,313 yje që ndodhen më pak se 326 vite dritë nga Toka. Një vit-drite është 5.9 trilionë milje.
Këndi prej nga mund të shihet Toka duke kaluar para diellit është aq i ngushtë, sa që vetëm 1,715 yje mund ta shohin Tokën në një moment në 5 mijë vitet e fundit, përfshirë 313 që nuk mund të na shohin më për shkak të ndryshimit të pamjes.
319 yje të tjera mund ta shohin Tokën në 5 mijë vitet e ardhshme, duke çuar në 2 mijë totalin e sistemeve diellore me pamje të Tokës.
Disa përfshijnë sisteme yjesh ku shkencëtarët tashmë kanë hasur në planete të ngjashme me Tokën, që cilësohen si kandidatë kryesorë për kontakt.
Zonja Kaltengger thotë se ekziston një sistem në të cilin ka shpresa të mëdha.
“TRAPPIST-1 është gjithmonë një nga favoritët, sepse ka katër planetë në zonën e banueshme me madhësi të Tokës. Ende nuk mund të na shohë ne. Kjo është diçka shumë interesante për atë sistem. Sepse ne mund ta shohim atë, por… ata mund të na shohin vetëm pas rreth 1 mijë e 600 vitesh”, tha ajo.
Nëse në TRAPPIST-1 ka jetë jashtëtokësore, duhet shumë kohë që ata ta kuptojnë ekzistencën tonë.
Por, a duhet të përpiqemi të kontaktojmë me këto sisteme diellore duke shpresuar se ekziston dikush që dëgjon mesazhet tona?
Disa ekspertë, përfshirë edhe Stephen Hawking, paralajmërojnë që të shmanget kontakti me të huajt sepse ata mund të na shkatërrojnë.
Por zonja Kaltenegger thotë se nuk ka rëndësi. Nëse ato planete kanë jetë të përparuar, ata tashmë e dinë ekzistencën tonë.
“Qysh para dy miliardë vitesh, ju mund ta dini se ka jetë në planet për shkak të bio-nënshkarkimeve, për shkak të oksigjenit që ne thithim, apo jo? Pra është e pamundur të fshihemi. Pavarësisht nëse dërgojmë ose jo sinjale, ata mund ta dinë se në këtë planet ka jetë, Nëse kemi frikë se do të vijnë qenie jashtëtokësore të na shkatërrojnë, në fakt po pranojmë se janë një shoqëri me teknologji aq të përparuar saqë të përshkojë këtë distancë të madhe”.
Nëse ata ekzistojnë, përse nuk na kanë kontaktuar?
Duhet kohë e gjatë për dërgimin e mesazheve dhe udhëtimin e organizmave mes sistemeve diellore ndërsa qytetërimet mund të mos kenë jetëgjatësi aq të madhe.
Ndoshta jeta në gjithësi është e rrallë. Ndoshta kurioziteti është një karakteristikë unike e njeriut.
Përkundër dilemave, shkencëtarët vazhdojnë të shpresojnë që diku atje, forma të tjera jete po mundohen të kontaktojnë njerëzimin.