Kryesore Nis një erë e re në turizmin hapësinor

Nis një erë e re në turizmin hapësinor

Dy prej njerëzve më të pasur të botës kanë zgjedhur korrikun si koha ku do të bëjnë realitet një formë të re të turizmit: atë në hapësirë. Richard Branson fluturon sot drejt hapësirës, duke u bërë kështu turisti i parë që del në orbitë me mjetin e vet, Virgin Galactic. I parashikuar për më 20 korrik është udhëtimi i Jeff Bezos, i cili fluturon drejt hapësirës me New Shepard, së bashku me të vëllain. Një udhëtim të tillë pritet ta bëjë brenda këtij viti (edhe pse nuk ka datë të përcaktuar) edhe Elon Musk, me Space X.

Në udhëtimin e tij të parë drejt hapësirës, Branson do të ketë në bord pilotët Dave MacKay dhe Michael Masucci, instruktoren Beth Moses, inxhinierin Colin Bennett dhe zv.presidenten e Virgin për Çështjet e Qeverisë dhe Kërkimit, Sirisha Bandla.

Asnjëri prej udhëtimeve nuk do të jetë ndëryjor. Risi është se Branson dhe Bezos do ta bëjnë atë me mjetet e tyre, duke shënuar një ndryshim rrënjësor 20 vjet pas fluturimit të parë të një turisti hapësinor.

I pari që pagoi një biletë për të shkuar në hapësirë ​​ishte miliarderi amerikan Dennis Tito, i cili më 28 prill 2001 u nis me anijen ruse “Soyuz” për në Stacionin Hapësinor, në bordin e të cilit ai qëndroi për tetë ditë. Shtatë pasardhësit e Titos, duke përfshirë sipërmarrësen me origjinë iraniane Anousheh Ansari, deri më tani gruaja e vetme në listën e shkurtër të turistëve në hapësirë, blenë një vend shumë të shtrenjtë në “Soyuz”, duke shpenzuar të paktën 20 milionë dollarë. Qëndrimi më i gjatë në Stacionin Hapësinor (13 ditë) ishte ai i amerikanit Richard Garriott dhe i fundit që kishte një dhomë me pamje të Tokës në vitin 2009 ishte kanadezi Guy Laliberté, një nga themeluesit e Cirque du Soleil.

Që atëherë ka pasur një pauzë të gjatë në fluturimet drejt hapësirës dhe hyrja e privatëve në këtë fushë, ka shënuar një kthesë të madhe. Ndër më të rëndësishmit është bashkëpunimi me NASA i Elon Musk në SpaceX, por jo vetëm: sipërmarrës si Branson dhe Bezos kanë vendosur të investojnë në turizmin hapësinor dhe mjetet për ta realizuar atë.

Turizmi hapësinor është ende një luks që shumë pak mund t’ia lejojnë vetes, duke marrë parasysh se sipas vlerësimeve të fundit kostoja e një bilete mund të jetë midis 250 000 dhe 500 000 dollarë, por misionet si ato të Branson dhe Bezos janë hapi i parë drejt diçkaje ndryshe, e cila në disa vjet mund t’i bëjë fluturimet suborbitale shumë më të zakonshme dhe të përballueshme se sa janë sot.