I propozuari i kryeministrit Edi Rama për ministër të Jashtëm, Gent Cakaj është kryefjala e debatit politik në Shqipëri dhe Kosovë, teksa mosdekretimi i tij nga Presidenti Ilir Meta i ka hedhur “benzinë zjarrit” në përplasjen e tij me shefin e qeverisë.
Por kundër Ramës është rreshtuar për këtë çështje edhe partia Vetëvendosje në Kosovë, teksa ka nisur ofensivën kundër tij, duke i kërkuar llogari me 7 pyetje direkte.
Kjo parti pyet Ramën se pse është i sigurte në figurat e errëta të presidentit të Kosovës dhe Hashim Thaçit dhe të gazetarit, Baton Haxhiut, ndërsa shpreh skepticizëm për ministrin Bushati, i cili po mbahet “peng” si rezultat i mosdekretimit për ta shkarkuar nga posti.
Aktivistja e “Vetëvendosjes” Dejona Mihali e pyet Ramën si kryetar i PS, se pse është i sigurtë për besimin te “figura e errët e analistit Baton Haxhiu dhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi” që vënë në diskutim integritetin e ministrit të Jashtëm në detyrë, Ditmir Bushati.
Pyetja duket e vështirë për shefin e qeverisë në një kohë që mediat kanë publikuar detaje nga vendimi i shkarkimit, ku thuhet se mes Bushatit dhe Thaçit ka pasur mosmarrëveshje, pasi Kryediplomati shqiptar refuzoi ndarjen e Kosovës.
Ca pyetje kryeministrit dhe kryetarit të partisë socialiste të Shqipërisë:
- A e di gjë pse 23 anëtarë të kryesisë së PS dhe 73 deputetë të PS + qindra kryetarë degësh, nëndegësh dhe mijëra bashkëpunëtorë profesionalë socialistë nuk dalin të reagojnë, por del Baton Haxhiu?
- Pse je kaq i sigurtë në personazhe të errët si Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu dhe vë në dyshim ministrin dhe anëtarin e kryesisë së PS, z. Ditmir Bushati?
- Nëse ka diçka të papranueshme në Ministrin e jashtëm aktual a mund t’ia tregosh të gjithë shqiptarëve, me këtë rast dhe socialistëve anëtarë, simpatizantë dhe votues ?
- Nëse Ilir Meta është i paditur pse na e propozove dhe pastaj votove për President të Republikës së Shqipërisë?
- Nëse je kundër shkëmbimit të territoreve , e thënë shqip, pra kundër ndarjes së Kosovës sipas planit të Vuçiçit a mund ta thuash këtë prerazi pa ekuivoke?
- Nëse pretendon se e njeh G. Cakajn atëherë pse nuk ia keni bërë certifikatën e sigurisë nga drejtoria në vartësi tuajën që prej se e kishit këshilltar ?
- Që kur këshilltarët e tu, mandej zëvendësministra, e të propozuar për ministër të jashtëm si Gent Cakaj lejohen të nxjerrin në emisione televizive të Baton Haxhiut për 1 vit rresht komentet e sqarime nga takimet e tua nga ai me Kancelaren Merkel deri te ato brenda zyrave të këshillit të ministrave e tek kualifikimet e sulmet mbi subjektet politike në Kosovë?