Extra A u shit vërtet Manhattan për vetëm 24 dollarë?

A u shit vërtet Manhattan për vetëm 24 dollarë?

Historia është plot me shitje të pamatura dhe marrëveshje të bujshme. Sipas legjendës, një nga më të famshmet ndodhi në Manhattan, kur vendasit e ishullit ia shitën atë holandezëve për një grusht rruaza dhe ekuivalentin e 24 dollarëve në para të thata.

Por a ndodhi vërtet kështu? Ndoshta jo. Kur kolonët europianë mbërritën në rajonin e lumit Hudson, zona banohej prej kohësh nga populli indigjen Lenape, që e quante ishullin e gjelbëruar përgjatë lumit Hudson, Manahatta ose “ishulli kodrinor”.

Lenape, që fliste një gjuhë algonkiane dhe bënte tregti me një sërë popujsh të tjerë amerikanë indigjenë, jetonin në një sezon të caktuar të vitit në këtë ishull të pasur me burime natyrore dhe me shumë kafshë. Dhe ishin pikërisht kafshët, sidomos kastorët, ato që tërhoqën vëmendjen e evropianëve të parë që u ndeshën me popullin Lenape në Manhatta duke filluar që nga viti 1500.

Në fakt, joshja më madhe me Amerikën e Veriut për evropianët e parë, kishte të bënte me lëkurat e këtyre kafshëve, të cilat përdoreshin për të prodhojnë kapelet më në modë dhe shumë sende luksi për konsumatorët evropianë. Kjo edhe sepse evropianët i kishin gjuajtur aq shumë kafshët në kontinentin e tyre, saqë numri i tyre kishte mbërritur deri në pikën e shfarosjes.

Të tërhequr nga peliçet e bollshme të kastorit, tregtarët holandezë nisën të bënin tregti me popullin Lenape, dhe shumë shpejt pretenduan kontrollin e tokave që shtriheshin nga Delaware-i i sotëm deri në Rhode Island në emër të Kompanisë Holandeze të Indisë Perëndimore, e cila vendosi monopolin në tregtinë përmes Atlantikut.

Kompania themeloi në vitin 1621 “Holandën e Re”, duke shtrirë sundimin holandez deri në rajonin e lumit Hudson. Në vitin 1624, holandezët kishin nisur të jetonin në Manhatta, që më vonë u quajt Manhattan, në një vendbanim të quajtur New Amsterdam, Amsterdami i Ri.

Statuti i Kompanisë Holandeze të Indisë Perëndimore, i lejoi anëtarët e saj të lidhnin kontrata me “princat dhe vendasit” e rajonit, duke shkëmbyer mallra dhe valutë për “popullimin e këtyre zonave prodhuese dhe të pabanuara”, vende që tashmë ishin pjesë e tokave stërgjyshore të vendasve.

Kështu kompania jo vetëm e kolonizoi këtë territor, por bleu sa më shumë tokë që mundi nga banorët e saj vendas. Në një raport të vitit 1626 për Kompaninë Hollandeze të Indisë Perëndimore, Peter Schagen shkruan se holandezët e “blenë ishullin Manhattes nga indianët për 60 gilderë”. Edhe pse e dokumentet thonë se holandezët e blenë ishullin nga populli Lenape, asnjë akt ose korrespondencë tjetër në lidhje me shitjen nuk është gjetur ndonjëherë.

Shuma e paguar dhe vetë natyra e transaksionit janë diskutuar prej gati 400 vjetësh. Një legjendë e shekullit XIX, ka nxitur pjesën më të madhe të spekulimeve. Në vitet 1840, historiani Edmund Bailey O’Callaghan nisi të zbulonte dokumente nga e kaluara holandeze e Nju Jorkut, duke shkruar historinë e parë të këtij shteti.

Ndër zbulimet e O’Callaghan ishte letra e Schagen e vitit 1626. Ndaj historiani shkroi se amerikanët vendas “morën për atë trakt të shkëlqyer një shumë modeste prej 60 florinash ose 24 dollarë”. Lexuesve u bëri shumë përshtypje kjo shumë modeste, dhe tregimet e tjera të shkëmbimit të rruazave me mallra të vlefshme në të gjithë rajonin.

Në fakt, është e paqartë nëse shkëmbimi përfshinte para, mallra apo të dyja bashkë. Historianët modernë theksojnë se në atë kohë 60 gilder vlenin shumë më tepër se 24 dollarët e sotëm. Ato ishin ekuivalente me rreth 1000 dollarë sot. Dhe nëse paratë ndryshonin duar, ka të ngjarë të shoqëroheshin me gëzof, rruaza dhe mallra të tjera të vlefshme.

Transaksione të ngjashme e mbështesin këtë interpretim. Akti përfundimtar i vitit 1670 për blerjen nga Holanda të Staten Island nga populli Munsee, tregon dëshmi të pazareve të vështira. Në fund, holandezët shkëmbyen mbi 100.000 rruaza vampum, së bashku me sasi të mëdha veshjesh, mjetesh, armësh dhe municionesh, dhe premtuan se do ta njohin aktin çdo vit si një akt të miqësisë së ndërsjellë.

Por nuk ka një akt të tillë mbi Manhatanin. Pavarësisht nëse paratë, mallrat apo të dyja ndryshuan duar në atë transaksion – shkruan  historiani Paul Otto – ka të ngjarë që shkëmbimi të shihej si një “marrëveshje e rëndësishme” nga populli Lenape. Megjithatë, kjo “marrëveshje e rëndësishme” nuk ishte domosdoshmërisht një shitje.

Otto vëren se ndoshta Lenape dhe amerikanët e tjerë nuk i njihnin format evropiane të pronësisë, dhe nuk njihnin fare të drejtat individuale për tokën. Ndoshta ata mendonin se ishin dakord ta ndanin tokën me holandezët ose t’ua jepnin atyre me qira.

Historiani Jean Soderlund shkruan se megjithëse Lenape-t kishte imazhin e një populli paqësor, ata nuk ishin “as të dobët dhe as frikacakë”, dhe se veprimet e tyre pasqyronin gjithmonë një angazhim për sovranitetin e tyre dhe dëshirën për të mbrojtur të drejtat e tyre tregtare.

Megjithatë, holandezët ishin të bindur se e kishin blerë tokën dhe vazhduan ta kolonizonin atë me ndihmën e kolonëve të tyre, afrikanëve të skllavëruar, tregtarëve nga vende të ndryshme dhe njerëzve që ishin larguar nga Evropa për shkak të persekutimi fetar.

Tregtia e kastorit lulëzoi deri në atë pikë, sa që lëkura e tyre u bënë një monedhë e pranuar zyrtarisht në të gjithë Holandën e Re. Në vitin 1664, 1500 njerëz jetonin në Amsterdamin e Ri, dhe në këtë vendbanim të ri fliteshin plot 18 gjuhë. Qyteti ishte i njohur për murin që e rrethonte.

I ndërtuar nga skllevërit, mbetjet e tij u bënë Wall Street-i i famshëm në Nju Jork. Por muri nuk ishte i mjaftueshëm për t’i mbrojtur holandezët. Në gushtin e vitit 1664, ushtarët anglezë sulmuan Amsterdamin e Ri. Një muaj më vonë, kur guvernatori holandez Peter Stuyvesant u dorëzua, kolonia multi-kulturore u riemërua në Nju Jork (Jorku i Ri) nga anglezët.

Ndërkohë, holandezët dhe anglezët luftuan për pushtet në pjesë të tjera të botës, si pjesë e Luftës së Dytë Anglo-Holandeze, dhe në vitin 1667 holandezët pushtuan koloninë angleze të Surinamit në Amerikën e Jugut.

Po atë vit, të dyja vendet nënshkruan një traktat paqeje që shkëmbeu zyrtarisht Holandën e Re/Nju Jorkun me një numër zotërimesh koloniale, duke përfshirë koloninë e njohur tani si Surinami, dhe ishullin e vogël Pulau Rhun në Indonezi.

Ndërkohë u dëbuan njerëzit që e konsideronin Manhatanin si atdheun e tyre stërgjyshor. Pasuan luftëra, traktate dhe largime të detyruara. Dhe deri në vitet 1860 shumica e popullit Lenape ishte zhvendosur në një zonë që sot njihej si shteti i Oklahomas. Tre fise të popullit Lenape njihen aktualisht si zotërues të dikurshëm të kësaj toke nga qeveria federale e Shtetet e Bashkuara, dhe fise të tjera janë ende duke u përpjekur ta fitojnë këtë status.

Burimi: National Geographic