Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç konfirmon se do të marrë pjesë në takimin e radhës së iniciativës “Ballkani i Hapur”, i cili në qershor mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë një aktiviteti në Podgoricë, Abazoviç tha se Mali i Zi nuk i është bashkuar kësaj iniciative, por edhe në të kaluarën ka marrë pjesë në takimet si vëzhgues.
Gjatë takimit në forumin ekonomik në Davos të Zvicrës, presidenti Serb, Aleksandar Vuçiç, ftoi Abazoviç që t’i bashkohet takimit të radhës të nismës rajonale.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.
Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin nismën ‘Ballkani i Hapur’.