Ndërprerjet e vullnetshme të shtatzënisë për të favorizuar lindjen e fëmijëve meshkuj kanë çekuilibruar marrëdhënien natyrore ndërmjet gjinive, kjo si pasojë e politikave sociale të zbatuara në disa vende.
Abortet selektive në bazë gjinie, fenomen i përhapur këto dhjetë vitet e fundit, kanë shkaktuar një shtrembërim të papritur në marrëdhëniet numerike mes femrave dhe meshkujve.
Statistikisht, në çdo 100 të porsalindur, 103-107 janë meshkuj (ende nuk është e qartë, nga pikëpamja shkencore, pse marrëdhënia është e paekuilibruar). Megjithatë, analizat e hulumtuesve zbuluan se që nga vitet 1970 e tutje u shfaq një zhbalancim natyror në gjininë e të porsalindurve, në favor të meshkujve, në 12 vende të botës, sipas një studimi të kryer nga PNAS (Procedurat e Akademisë Kombëtare të Shkencave).
Në kërkim të një trashëgimtari
Në disa shoqëri lindja e një djali preferohet ndaj asaj të një vajze, këto paragjykime së bashku me ndjekjen e linjave specifike të politikës sociale, kanë rritur numrin e familjeve që zgjedhin të abortojnë fetuset femra, me shpresën se më vonë do të mund të kenë të paktën një djalë.
Një grup studiuesish nga Universiteti Kombëtar i Singaporit analizuan regjistrat e lindjeve dhe të dhënave demografike të 202 vendeve, nga të cilat 12 njihen të kenë pësuar një periudhë presioni të fortë social mbi familjet në favor të fëmijëve meshkuj. Pabarazitë gjinore që bien menjëherë në sy përfshijnë vende si Kina dhe India.
Në vitin 2005, viti në të cilin raporti i foshnjave mashkull/femër u shfaq më i pa balancuari, kishte rreth 100 lindje të vajzave në Kinë, çdo 118 lindje të meshkujve. Pasojat e këtyre zgjedhjeve fillojnë të vihen re tani që fëmijët e atij brezi po arrijnë moshën riprodhuese, pavarësisht se politika e të pasurit ‘një fëmije’ u zhduk zyrtarisht në vitin 2013, popullata po përpiqet të rritet për shkak të mungesës së grave nga të cilët të kenë fëmijë. Nga viti 1970 deri në vitin 2017 “vajzat e zhdukura” (sepse nuk lindën asnjëherë), arritën në Kinë shifrën prej 11.9 milionë, ndërsa në Indi 10.6 milionë.
Rikthim në ekuilibër?
Duke marrë parasysh edhe vendet e tjera me një ‘tepricë’ meshkujsh (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Gjeorgjia, Hong Kongu, Koreja e Jugut, Mali i Zi, Tajvani, Tunizia dhe Vietnami) vajzat që mungojnë në botë janë 23.1 milionë. Me përjashtim të Indisë dhe Vietnamit, vitet e fundit, marrëdhënia mes gjinisë femër/mashkull gradualisht po kthehet në normë në të gjitha vendet e analizuara. Megjithatë, do të jetë e nevojshme të mbahet në mendje ky çekuilibër, në vlerësimet e së ardhmes për të ardhmen e popullsisë botërore.