Të punësuarit në shtet bëjnë pesë muaj në vit pushime, ndërsa kohën e punës së zyrë e përdorin masivisht për të lundruar në internet.
Gjatë orarit të punës, raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka nxjerrë në pah se punonjësit e administratës publike e përdorin pa efektivitet shërbimin e internetit. Ata e shpenzojnë kohën e qëndrimit në institucionet shtetërore për të parë filma, rrjetet sociale, për të dëgjuar muzikë, radio apo për shkarkim dhe lojëra, veç përdorimit për të bërë update sistemeve operative të Microsoft.
Nga analizimi i të dhënave për vitin 2019 në Ministritë e Drejtësisë, të Kulturës dhe Bujqësisë e në Bashkitë e Korçës, Fierit, Vlorës dhe Lezhës si dhe në agjenci të ndryshme rezulton se rreth 15% e internetit shkon për argëtim virtual.
Pavarësisht se buxhetit të shtetit i kushton, për shërbimin e internetit në institucionet publike, një vlerë rreth 190 mln (188,887,230) lekë pa TVSH, grupi i auditimit ka konstatuar se mungesa e akteve rregullatore mbi përcaktimin e nevojave dhe mbikëqyrjen e shërbimit të internetit, ka sjellë përdorimin pa ekonomicitet të fondeve, si dhe aksesin e pakontrolluar brenda institucioneve dhe jashtë tyre.
Gjetje tjetër e KLSH-së është se përdorimi I internetit nuk monitorohet si dhe nuk bllokohen apo kufizohen faqe që s’janë të nevojshme për t’u hapur gjatë orarit zyrtar të punës. Gjithashtu, raporti konstaton se Agjencia Kombëtare Shtetërore e Informacionit nuk disponon mekanizma për verifikimin dhe marrjen e masave në kohë reale mbi sulmet kibernetike.(TCH)